Porto Prince, 4 shkurt, NOA - Bilanci i jetëve njerëzore që mundi të prekë tërmeti katastrofal i Haitit pak javë më parë është vërtet i frikshëm.
Tani që po zbardhen të dhënat e plota pas kaosit të ditëve të para të tërmetit, ato flasin për mbi 200 mijë të vdekur dhe mbi 300 mijë të lënduar prej tij.
Shifrat u bënë të ditura nga kryeministri i Haitit, Jean-Max Bellerive në kryeqytetin Porto Prince, sipas të cilit gjithsesi, në këtë numër nuk janë përfshirë personat të cilët ishin nën gërmadha dhe ndërkohë janë varrosur prej familjarëve të tyre pa mundësuar ndonjë evidencë të saktë.
Ndërsa sa u përket shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, shifra e tyre numërohet të jetë rreth 250 mijë të tilla, duke lënë mbi një milion persona të pastrehë.
Bëhet me dijeni se ish-presidenti amerikan Bill Clinton, me kërkesën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka marrë postin e shefit për koordinimin e ndihmave ndërkombëtare dhe rindërtimin e Hatiti, ndërsa ishte edhe para tërmetit i deleguari posaçëm i OKB-së për Haitin.
n.e/NOA