Tiranë, 4 Shkurt NOA - Një djalë 24-vjeçar po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi u sulmua me thika nga katër persona të cilët u zhytën në debat me viktimën e tyre në gjendje të dehur.
Ngjarja ka vënë në lëvizje forcat policore të cilat u angazhuan në një operacion të koduar që vuri në pranga të katër të dyshuarit.
Operacioni i koduar "Taverna" vendosi nën pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë Ermal Nike Leka, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Maringlen Riza Cina, 24 vjeç dhe Ervis Ndue Marashi, 18 vjeç, që të dy lindur lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, si dhe 24-vjeçarin Zef Vlash Marku, llindur në Lezhë dhe banues në Prush, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, thanë se katër djemtë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë sulmuar fizikisht 24 vjeçarin Bledar Sefa, lindur e banues në Laç.
Ngjarja ndodhi përgjatë orëve të para të ditës së sotme, në ambientet e tavernës "Daja" të ndodhur në Unazë të Re, kur katër të dyshuarit, kanë tentuar të vrasin me armë të ftohtë thikë, duke e plagosur disa herë në trup 24 vjeçarin Sefa.
Viktima u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë por mjekët thanë se ai ndodhet në gjendje të rënduar për jetën, për shkak të plagëve serioze të marra në trup.
Duke folur për hetimet, policia e Tiranës i tha agjencisë NOA se shkaku i grindjes përmes të pestëve, ka nisur fillimisht pas një debati për motive të dobëta në gjendje të dehur.
Autorët e dyshuar të kësaj plagosjeje të rëndë, në momentin e ngjarjes kanë qenë duke darkuar me njëri-tjetrin, ndërsa i dëmtuari ka qenë me disa miq të tij, në një tjetër tavolinë.
"Kapja e autorëve, u bë e mundur në sajë të informacioneve të poseduara për to", - detajoi policia duke konfirmuar se të dyshuarit, menjëherë pas kryerjes së këtij krimi ishin shpërndarë, duke u fshehur tek të afërmit e tyre në zona të ndryshme në Tiranë.
f.sh/NOA