Tiranë, 4 shkurt, NOA, Milena Selimi - Shkurti, do të sjellë edhe një festival të ri mbarëkombëtar të teatrit. Fjala është për festivalin mbarëkombëtar të teatrit "Kosovafest", i cili do të organizohet në qytetin e Therandës në përkujdesjen e "Belvedereart" dhe kryetarit të komunës së Therandës.
Edicioni i parë i festivalit mbarëkombëtar të teatrit "Kosovafest 2010" do të mbahet prej 11 deri më 17 shkurt 2010 në Therandë.
Gjatë shtatë ditëve, sa pritet të zgjasë festivali, do të shfaqen 7 shfaqje të teatrove profesioniste nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Shqipëria do të prezantohet me shfaqjen e Teatrit të Metropolit "Drejt lirisë" dhe Teatrit të Vlorës "Petro Marko".
"Ne presim një prezantim dinjitoz të teatrit shqiptar, ndërsa gjatë këtyre shtatë ditëve do të prezantohen shtatë shfaqje nga trevat gjithëshqiptare", - ka thënë krijuesi Reshat Sahitaj.
Ai ka shtuar se shfaqja me e mirë do të prezantohet në Belgjikë.
Juria përzgjedhëse e festivalit, përveç vendorëve, në përbërje të saj do të ketë edhe ndërkombëtarë.
Sahitaj ka përmendur Filip Preux, shef i departamentit për audiovizual në Ministrinë e Kulturës nga Belgjika dhe Daniel Leuveurs, akademik, dramaturg dhe profesor nga Franca.
Një ndihmesë të madhe në organizim të "Kosovafest 2010", Therandë do të japë edhe teatri "Dodona", ndërsa në hapje më 11 shkurt pritet të marrin pjesë personalitet të shquara të kulturës sonë.
m.s/n.g/NOA