Tiranë, 4 Shkurt NOA/Përmbledhje - Ministria e Brendshme, me mbështetjen e projektit të komunitetit Evropian në ndihmë të Policisë-PAMECA III, organizoi sot Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet.
Në qendër të kësaj konference ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis organeve të pushtetit lokal, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të ndryshme në nivel qendror e lokal.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi synohet arritja e zgjidhjes së problemeve në partneritet, si dhe shkëmbimi i informacionit, duke rritur kështu sigurinë në komunitet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të Shqipërisë.
Në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet morën pjesë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan, si dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtues të policisë në qarqe, drejtues të organeve të pushtetit vendor nga i gjithë vendi, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, duke folur në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet u ndal në eksperienca dhe objektivat
e policisë së shtetit për implementimin e policimit në komunitet.
Ai veçoi se policimi në komunitet është ai lloj policimi që përfshin komunitetin në mënyrë aktive për të zvogëluar, parandaluar dhe zbuluar krimet.
"Kjo nënkupton partneritetin në mes të policisë dhe komunitetit në mënyrë që Policia vazhdimisht t'u ofrojë qytetarëve shërbime cilësore. Ajo gjithashtu ndihmon policinë në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që përbëjnë shqetësim për qytetarët", - vuri në dukje Burgaj.
Sipas tij, besimi tek Policia e Shtetit rritet, kur komuniteti shikon tek ajo, përkushtim dhe përgjegjshmëri, komunikim dhe bashkëpunim, zbatim të ligjit, profesionalizëm, paanshmëri, seriozitet dhe transparencë në trajtimin e problemeve, por dhe bashkëpunim konkret për aktivitete të forcimit të besimit reciprok.
Për implementimin e filozofisë dhe të strategjisë së Policimit në komunitet, Burgaj tha se Policia e Shtetit ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme ndërkombëtare si; OSBE, PAMECA, ICITAP, UNDP dhe OJF vendase (IDN, KSHH etj).
Sipas tij, synimi strategjik i Policisë së Shtetit është krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për shoqërinë shqiptare, nëpërmjet policimit me standardet më të larta të performancës, duke sjellë përmirësim në cilësinë e jetës së qytetarëve.
"Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet në vazhdimësi për kalimin nga mënyra reaktive (goditëse) e policimit tek ajo proaktive -parandaluese, - duke ndërmarrë veprime konkrete para se të kryhen veprat penale me qëllim parandalimin e tyre", - sqaroi Burgaj.
Në përfundim, ai tha se "sfida jonë në gjithë këto përpjekje të përbashkëta është fitimi i besimit të policisë nga komuniteti, puna jonë e përbashkët në realizimin me sukses të detyrave për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike dhe luftën pa kompromis kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti".
r.b/NOA