Tiranë, 4 Shkurt NOA - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama zhvilloi sot një takim me Ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha ku tha se folën gjatë për të nxjerrë fushat kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokurorja e Përgjithshme Rama tha se së bashku me Ministrin e Brendshëm Basha shprehën "angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar".
Në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij.
Rama në një komunikatë për për mediat vuri në dukje se me z.Basha diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit"Antimafia", një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare.
Krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, Rama ka theksuar se strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra.
Gjatë takimit mes Prokurores së Përgjithshme Rama dhe Ministrit të Brendshëm Basha u ra dakord edhe mbi procesin e trajnimeve të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore.
e.n/NOA