English

Meta thotë se me Norvegjinë duhen rritur lidhjet turistike

Tiranë, 4 Shkurt, NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, priti sot në një takim pune ambasadorin e Norvegjisë në Shqipëri, Sverre Jahan Kvale dhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të politikave bilaterale dhe drejtor i Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Nils Ragnar Kamsvag.

Meta shprehu konsideratat më të mira për marrëdhëniet mes dy vendeve tona si në planin bilateral ashtu edhe në atë shumëpalësh. Ai u ndal veçanërisht në domosdoshmërinë e intensifikimit të raporteve ekonomike të cilat tanimë kanë ndërtuar bazat e duhura për një ecuri shumë inkurajuese në të ardhmen, duke u fokusuar në fushën e energjetikës, ndërtimit etj.

Gjatë takimit, Meta nënvizoi gjithashtu se diversifikimi i këtyre marrëdhënieve edhe në fusha të tjera si ajo e turizmit, edukimit dhe kulturës duhet të jetë prioritet në funksion të konsolidimit të marrëdhënieve tona dypalëshe.

Nga ana tij, ambasadori Kvale vlerësoi me nota shumë pozitive gatishmërinë dhe bashkëpunimin që vendi i tij ka gjetur tek Qeveria shqiptare në realizimin e disa projekteve të rëndësishme, ku spikat ai i gjigandit Statkraft, në ndërtimin e kaskadës mbi lumin Devoll.

Gjithashtu, z. Kvale duke vlerësuar zhvillimet dhe progresin e kryer nga Shqipëria në të gjitha fushat, i komunikoi z. Meta interesin në rritje të biznesit norvegjez për të investuar në Shqipëri.

Drejtori i Ballkanit Perëndimor pranë MPJ norvegjeze, z. Kamsvag, shprehu interesin e tij për t'u informuar në lidhje me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE-në dhe veçanërisht në lidhje me hapat e fundit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të përmbushur kriteret e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Gjithashtu, palët shkëmbyen mendime për zhvillimet politike më të fundit në rajon, duke vënë theksin në rolin konstruktiv dhe stabilizues të Shqipërisë në Ballkan.

Në përfundim të takimit, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta, i transmetoi ambasadorit të Mbretërisë së Norvegjisë, ftesën që Ministri i Jashtëm norvegjez, Jonas Gahr Stør, të vizitojë Shqipërinë.

e.r/NOA

KOMENTE