English

Ministri i Brendshëm flet për takimin me Ina Ramën

Tiranë, 4 Shkurt NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe tha pas bisedës me dyer të mbyllura se qëllimi i takimit ishte evidentimi i fushave kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Basha tha se ai dhe Prokurorja e Përgjithshme Rama shprehën angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar.

Kurse pohoi se në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij.

Mnistri Basha tha se me Ina Ramën diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit"Antimafia", një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare.

"Krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra", - deklaroi Basha duke iu referuar rënies dakord mes palëve.

Gjatë takimit mes Ministrit të Brendshëm Basha dhe Prokurores së Përgjithshme Rama u ra dakord edhe mbi procesin e trajnimeve të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore.

Në takim ishin të pranishëm edhe Zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Zv.drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar Agron Kuliçaj, Drejtori i Hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani dhe Drejtori i Inspektimit Arben Dollapaj.

r.b/e.r/NOA

KOMENTE