English

Operacioni "Baçia" arreston 4 shpërndarës heroine, vepronin në 7 zona të Tiranës

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Katër persona me disa doza heroine kanë rënë në prangat e forcave policore të kryeqytetit në kuadër të operacionit "Baçia".

Lajmi i konfirmuar zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA saktëson se të ndaluarit janë Armando Canaj, 33 vjeç; Jetnor Ademi, 24 vjeç; Alban Demiraj, 28 vjeç dhe Endri Bardhyl Avdyli, 26 vjeç; që të katërt lindur dhe banues në Tiranë.

Mësohet se ky grup e realizonte shitjen lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, në zona të ndryshme të Tiranës si ajo e Spitalit, Selvia, Linzë-Teleferik, Rruga e Elbasanit, Stacioni i Trenit, Rruga Fortuzi si dhe shkollën e Mesme "Partizani".

Ndaj të ndaluarve, ishte ndërmarrë një aksion ndjekje dhe investigimi prej 6 muajsh, i nisur në vitin 2009, në kuadër të të cilit aktualisht ndodhen të arrestuar Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani, të arrestuar më 28 korrik e 26 tetor 2009, si dhe 4 persona të tjerë të cilët janë proceduar në gjëndje të lirë.

Ndërkaq, në cilësinë e provës materiale të ndaluarve iu sekuestruan 8 doza heroine, ndërsa në të gjithë periudhën 6-mujore të hetimit është arritur t'i sekuestrohet këtij grupi 250 doza heroine, si edhe 0.5 gr kokainë.

Grupit në fjalë iu sekuestruan edhe 4 automjete dhe 7 telefona celularë të llojeve të ndryshme.

Materialet hetimore i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprën të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE