Tiranë, 4 shkurt, NOA - Marrje e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Kjo ka qenë porosia kryesore që kryeministrit Berisha ka lënë gjatë mbledhjes së radhës të Komitetit të Task Forcës për reformën në shëndetësi. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjithë masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t'i përcillet grupit ndërinstitucional.""Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, sesi ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T'i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi", u është drejtuar lryeministri të pranishmëve në këtë Task Force.
Pasi theksoi se deri më tani janë bërë përpjekje të mëdha dhe ka pasur progres të pamohueshëm në drejtime të ndryshme në fushën e mjekësisë, Berisha përfundoi se Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha për ta sjellë në standardet e duhura sistemin shëndetësor dhe kjo do të arrihet falë reformës që do të jetë përparësi absolute e qeverisë deri në finalizimin e saj.
n.e/NOA