Krujë, 4 Shkurt NOA - Jeta e një 24-vjeçari u shua tragjikisht ndërsa flinte në banesën që kishte marrë me qera nga një familje e cila kishte emigruar në Itali.
Dritan Bajrami, lindur në Vinjoll të Kurbinit e banues në Borizanë të Krujës, i martuar disa kohë më parë, ka gjetur vdekjen ndërsa jetonte i vetëm në banesën që i kishte marrë me qera shtetasit K.X. në Borizanë të Thumanës në Krujë.
Korrespondenti i agjencisë NOA informon duke cituar burimet policore se 24-vjeçari po flinte në banesën e marrë me qera para pak kohësh tek shtetasi K.X i cili gjendet në Itali si emigrant dhe në rrethana ende të paqarta është gjetur i vdekur nga banorë të zonës.
Nga hetimet e para policia thotë se shkak i vdekjes ka qenë lënia hapur e një bombole gazi nga vetë viktima në banesën ku ai jetonte i vetëm, ndaj hidhen dyshimet jo vetëm për ngjarje aksidentale por edhe një vetëvrasje përmes helmimit me gaz.
Policia tha se një dosje me hetimet e para iu kalua sot për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Krujë.
a.a.f.sh.NOA