English

Apeli shpërfill ankesën, jep dënimin për ish-kryepolicin rrugor Ahmeti

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Gjykata e Apelit në Tiranë, ka lënë sot në fuqi vendimin për ish-shefin e Qarkullimit rrugor, Krenar Ahmeti, akuzuar shpesh nga qytetarë të ndryshëm për fyerje dhe dhunë fizike disa prej të cilëve dhe kanë bërë denoncime penale ndaj tij.

Sipas vendimit Ahmeti i cili tani mban një post në Drejtorinë e Polciisë Tiranë, është dënuar me 200 mijë lekë të reja gjobë dhe dy vartësit e tij me nga 100 mijë lekë secili.

Sipas vendimit i pandehuri Ahmeti ka kryer veprën penale të "kryerjes se veprimeve arbitrare" në bashkëpunim me dy të pandehurit në këtë proces, shtetasit Alfons Gjoni e Blenard Vathi të cilët u dënuan me nga 100 mijë lekë gjobë.

Sipas vendimit të dhënë nga gjykata të pandehurit e kanë kryer veprën penale gjatë ushtrimit të detyrës në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe shoqëruar në Komisariatin numër 2 pa asnjë motiv prokuroren e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj dhe bashkëshortin e saj avokat Agron Bajrin, mbrëmjen e datës 17 maj 2008.

Një seancë më parë prokuroria kërkoi 500 mijë lekë gjobë për Ahmetin dhe nga 200 mijë lekë gjobë për dy ish vartësit e Ahmetit, ndërkohë që këta të fundit kërkuan pafajësinë e tyre.

Por gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e kolegëve të tyre në Shkallën e Parë. Brenda 6 muajsh të pandehurit duhet të kenë shlyer dënimin e tyre.

r.b/NOA

Më shumë mbi argumentin:

Gjykata e Tiranës shpall fajtor dhe dënon kryepolicin Krenar Ahmeti

Pretenca për kryepolicin e shkarkuar Ahmeti, kërkohen 500 mijë lekë gjobë

Ish-kryepolici Rrugor Krenar Ahmeti sërish nën hetim, rrahu një biznesmen

KOMENTE