English

Drejtësia, afër dhe larg qytetarëve

"Në çdo komunitet është e domosdoshme, që infrastruktura gjyqësore t'i përshtatet nevojave të gjyqtarëve dhe stafit të tyre administrativ, në përballimin e detyrave të përditshme, për të sjellë sa më afër drejtësinë tek qytetarët"

Bujar Nishani*

Ministër i Drejtësisë

Krijimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krimet e Rënda ka qenë një nga reformat më kryesore institucionale kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Kombinimi i ligjit penal me atë civil për sekuestrimin e pasurive të prejardhura nga aktivitete të krimit të organizuar është gjithashtu një reformë thelbësore në këtë drejtim.

Sot dëshiroj të përforcoj edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare dhe partnerëve tanë evropianë në luftën kundër krimit të organizuar, kësaj here duke garantuar kushtet më të mira të punës për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët pjesëmarrës në mbrojtjen e shoqërisë nga njëra anë dhe ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut nga ana tjetër.

Në çdo komunitet është e domosdoshme, që infrastruktura gjyqësore t'i përshtatet nevojave të gjyqtarëve dhe stafit të tyre administrativ, në përballimin e detyrave të përditshme, për të sjellë sa më afër drejtësinë tek qytetarët.

Godina e re e Gjykatës për Krimet e Rënda është kthyer tashmë në një simbol të modernizimit të pushtetit gjyqësor, me infrastrukturën estetike sipas standardeve më të fundit evropiane, duke ruajtur njëkohësisht simbolet e saj të drejtësisë.

Me këtë rast dëshiroj të shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian i cili mundësoi këtë infrastrukturë moderne për sistemin e drejtësisë penale në vlerën prej 6.5 milionë euro investim, ku përfshihet sistemi i teknologjisë së informacionit dhe baza materiale për realizimin sa më efektiv të procesit gjyqësor si dhe Delegacionin Evropian në Tiranë që e bëri efektiv këtë financim.

Drejtësia ka nevojë për më shumë transparencë nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut. Për këtë arsye edhe godina e re e Gjykatës për Krimet e Rënda mundëson pjesëmarrjen e rreth 300 personave në 5 sallat e saj gjatë zhvillimi të proceseve të ndryshme gjyqësore penale.

Është akoma shpejt të thuash se brenda godinës së re, është krijuar një traditë juridike e konsoliduar, megjithatë unë kam besim të plotë se në mbi 200 zyrat e vëna në dispozicion të pushtetit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda me transparencën dhe përgjegjshmërinë e saj do të garantojë bërjen e drejtësisë.

(*) Fjala e mbajtur sot me rastin e përurimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda

KOMENTE