English

I kujt është Shkupi?

Sipas planit urbanistik prezantuar nga kryetari i komunës Qendër të Shkupit, parashihet që deri më 2014, në sheshin "Maqedonia" të ndërtohet kisha "Shën Konstandini dhe Elena", por jo edhe Burmali xhamia

Në vendin e saj të dikurshëm, sipas planit të ri, parashihet vendosja e ndërtesës së administratës së qytetit. Në po këtë projekt, parashikohet përmendorja e Aleksandrit të Madh, si dhe figura të historisë maqedonase, si Goce Dellçev dhe Dame Gruev, figura luanësh, por në të nuk parashihet asnjë objekt që simbolizon historinë, apo kulturën shqiptare në Maqedoni. Ndaj këtij vendimi, ashpër reagojnë përfaqësuesit e sektorit civil dhe kryetari i Këshillit për ndërtimin e xhamisë, Ramadan Ramadani, i cili kërkon që toka ku ka ekzistuar xhamia, t'i jepet Bashkësisë Fetare Islame, ashtu siç u veprua me kishën Ortodokse maqedonase. "Kërkesa jonë e parë dhe e fundit është që toka për ndërtim të xhamisë t'i jepet ndërtuesit legal, me kushte dhe çmim të njëjtë pikërisht ashtu siç iu dha vendi ndërtimit kishës ortodokse", thotë Ramadan Ramadani. Ndërkohë, Lëvizja qytetare "Zgjohu" thekson se përgjegjësia për përkeqësimin dhe radikalizimin e situatës, do t'i takojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komunës Qendër, e cila me kokëfortësi vazhdon t'i provokojë shqiptarët, duke i përjashtuar të jenë pjesë e identitetit të Shkupit. "Lëvizja qytetare ‘Zgjohu' do të ftojë Bashkësinë Fetare Islame dhe atë Katolike që të ngrenë zërin lart në shenjë proteste dhe të bojkotojnë Konferencën botërore ndërfetare që do të mbahet në maj, si dhe të na bashkëngjiten në protesta masive në Ohër, për të demaskuar djallëzinë e Qeverisë", shprehet nënkryetari i Lëvizjes "Zgjohu", Ismail Krifca. Por, ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, thotë se bëhet fjalë për projekt transparent dhe se Qeveria nuk ka ndërmend të heqë dorë nga realizimi i tij. "Pikërisht për realizimin e këtyre projekteve, ne morëm besimin e qytetarëve, andaj me përkushtim angazhohemi ta arsyetojmë besimin e dhënë". "Projektet janë transparente dhe për to, janë konsultuar ekspertë të ndryshëm", thekson Elizabeta Kançeska-Milevska. Nga ana tjetër, Bekim Fazliu, këshilltar i Këshillit të Shkupit, thotë se autoritetet zyrtare me vetëdije dhe plan të përcaktuar mirë, po e getoizojnë kryeqytetin. "Për fat të keq bëhet fjalë për projekt krejtësisht antishqiptar, projekt për getoizimin e shqiptarëve". "Nëse shihni ndërtesat që ndërtohen përreth anës së majtë të lumit ‘Vardar', ato ngjajnë me ‘Murin kinez', ku shqiptarët përfundimisht getoizohen", vlerëson Fazliu. Ndërkohë, kundër antikvizimit të sheshit të kryeqendrës është shprehur organizata joqeveritare "Sheshi i lirisë". Drejtuesi i saj, Nikolla Naumovski, thotë se me planin e paraparë për ndërtim, kryeqendra kthehet një shekull prapa. "Kryetari i komunës Qendër, Todoroviq, në vitin 2014 Shkupin e sheh të tillë siç janë dukur disa qytete në 1914-tën. Ne vonohemi me shekuj, në vend se kryeqendra ti ngjajë një qyteti modern, ai atë e ngulfat me histori dhe antikvizim", thekson Naumovski. Nga ana tjetër, për Muzafer Bislimin, nga Instituti i Historisë në Shkup, shlyerja e çdo shenje identifikuese shqiptare nga kryeqendra, është e rrezikshme, ngase krijon ndasi të thella mes shqiptarëve dhe maqedonasve. "Një ide, që për fat të keq ka kaluar formalisht në këshill të komunës Qendër me amin të Qeverisë dhe me të madhe propagohet në mediume, s'është asgjë tjetër, veçse t'i frysh zjarrit dhe t'i bësh një ndarje edhe më të madhe, jo vetëm qytetit të Shkupit, por edhe shtetit në përgjithësi", deklaron Bislimi. /rfe/

KOMENTE