English

Imami shpreh qëndrimin e Tiranës zyrtare në samitin e NATO-s në Stamboll

Përfundoi punimet takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s

Stamboll 5 shkurt 2010 NOA - Ka përfunduar punimet takimi informal i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u zhvillua në Stamboll më 4-5 shkurt 2010.

Në këtë takim ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori pjesë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Gjatë zhvillimit të takimit u diskutuan tri çështje të rëndësishme: Buxheti i NATO-s; Kosova dhe Afganistani. Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës u ndalën në angazhimin e NATO-s në Kosovë, veprimet e ndërmarra deri në muajt e fundit, si dhe përshëndetën arritjet e shënuara nga strukturat e KFOR-it gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu ministrat riafirmuan angazhimin e Aleancës për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj për një mjedis të sigurt në Kosovë.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i pranishëm në këtë ministerial, u shpreh pas takimit se, në këtë takim u shfaq qëndrimi i vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i konsideruar si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele në Kosovë. "Lidhur me Kosovën, - u shpreh Ministri Imami, vlerësimi ynë është që stabiliteti politik është i qartë, progresi është i dallueshëm. NATO dhe Kosova mund të quhen një histori suksesi".

Por Ministri Imami theksoi se në veri të Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm edhe në këtë takim të NATO-s.

Për ne, ka vijuar më tej z. Imami, është e rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon.

e.r/NOA

KOMENTE