Ministri Nishani dhe ambasadori Lohan përurojnë ndërtimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda
Tiranë, 5 Shkurt NOA - U përurua sot në Tiranë Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërtimi i të cilës u mundësua nëpërmjet financimit prej 6.5 milionë euro të Komisionit Evropian. Pothuajse tre vjet pas fillimit të punimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda tashmë ofron kushte të shkëlqyera për një punë efiçente, profesionale dhe transparente nga stafi e gjykatës dhe të prokurorisë.
Në këtë ceremoni, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan theksoi se punimet infrastrukturore janë të nevojshme për të përmirësuar efiçencën dhe transparencën e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Ai shtoi se "infrastruktura e dukur gjyqësore nuk mjafton për të kapërcyer dobësitë e gjyqësorit në Shqipëri dhe për ta bërë gjyqësorin t'i shërbejë si duhet qytetarit".
"Për më tepër", tha ai, "institucionet gjyqësore duhet të jenë të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme, dhe individët që punojnë në sistemin gjyqësor - zbatuesit e ligjit, prokurorët, avokatët, gjykatësit - duhet të drejtohen nga ‘rendi ligjor' pavarësisht bindjeve të tyre politike apo interesave ekonomike ose personale".
Në fjalën e tij Nishani deklaroi se "Godina e re e Gjykatës për Krimet e Rënda është kthyer tashmë në një simbol të modernizimit të pushtetit gjyqësor, me infrastrukturën estetike sipas standardeve më të fundit evropiane, duke ruajtur njëkohësisht simbolet e saj të drejtësisë.
"Shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian i cili mundësoi këtë infrastrukturë moderne për sistemin e drejtësisë penale në vlerën prej 6.5 milionë euro investim, ku përfshihet sistemi i teknologjisë së informacionit dhe baza materiale për realizimin sa më efektiv të procesit gjyqësor si dhe Delegacionin Evropian në Tiranë që e bëri efektiv këtë financim", - tha Nishani.
Më tej ministri u shpreh se drejtësia ka nevojë për më shumë transparencë nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut.
"Është akoma shpejt të thuash se brenda godinës së re, është krijuar një traditë juridike e konsoliduar, megjithatë unë kam besim të plotë se në mbi 200 zyrat e vëna në dispozicion të pushtetit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda me transparencën dhe përgjegjshmërinë e saj do të garantojë bërjen e drejtësisë", theksoi Nishani.
Në këtë përurim mori pjesë edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cila theksoi rolin që luan infrastruktura në ushtrimin e detyrës së prokurorëve.
Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda filloi në prill 2007. Tashmë ndërtesa është në shërbim të plotë të stafit të gjykatës dhe prokurorisë.
Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është vetëm një nga nismat ndihmuese të Komisionit Evropian për funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Infrastruktura e dobët ka qenë vazhdimisht një nga problemet kryesore të gjyqësorit në Shqipëri dhe Komisioni Evropian ka ndihmuar në përmirësimin e saj duke rindërtuar gjykatat e Sarandës, Vlorës, Dibrës, dhe Korçës.
Këto investime lehtësojnë disa nga problemet e vëna në dukje nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2009, si mbajtja e seancave nëpër zyrat e gjykatësve, mosrespektimi i të drejtave të të gjitha palëve në një çështje, ose mungesa e ndjekjes së seancave nga publiku.
f.sh/NOA