Tiranë, 5 Shkurt NOA/ Foto Update - Eglantina Lushaj - Pas marrëveshjes për kufijtë detarë dhe ligjit të dosjeve, Gjykata Kushtetuese brenda pak ditësh ka rrëzuar sot për të tretën herë vendimet e qeverisë "Berisha".
Bëhet fjalë për ligjin e Auditimit Ligjor që njihet si i Kontabilistëve, të cilin institucioni më i lartë i drejtësisë e ka quajtur si të papajtueshëm me kushtetutën.
Konkretisht neni 58 i ligjit parashikon, që një strukturë shtetërore mund të ndëshkojë me gjobë deri në 2 vjet burg, ata kontabilist të cilët verifikohet se kanë abuzuar me detyrën, në hartimin e bilanceve financiare.
Në këtë mënyrë shkon në 18 numri i vendimeve që Gjykata Kushtetuese i rrëzon kabinetit Berisha.
Edlira Abazi, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese duke folur me agjencinë NOA, thotë se neni 58 i cili parashikon rastet ndëshkimore, tejkalonte Kodin e Procedurës Penale.Sipas argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, ky kod nuk e konsideron vepër penale aktivitetin e kontabilistëve, ndaj nuk është ligjore që në rast se evidentohen shkelje në detyrën e tyre ata të dënohen.
Pak kohë më parë Ministria e Financave ndërmori nismën për të ngritur një strukturë, e cila do të trajnonte dhe kontrollonte rreth 300 kontabilistë të cilët operojnë në vend. Ekspertët kontabël janë ata ekonomistë të cilët hartojnë pasqyrat financiare ose bilancet e kompanive.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se abuzimi i tyre me detyrën nuk mund të quhet vepër penale, por mund të kërkohet heqja e licencës.
Neni i kundërshtuar duhet të ndryshojë brenda 6 muajsh nga qeveria, në të kundërt ai vë në pikëpyetje zbatueshmërinë e tij me selektivitet.
r.l/l.n/NOA