English

Nënë e bijë gjenden të vdekura në trotuar, dyshohet hedhja e tyre nga ballkoni

Kavajë, 5 shkurt, NOA - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kavajë, ku në një nga trotuaret e këtij qyteti janë gjendur të vdekura një grua dhe vajza e saj.

Lajmi konfirmohet nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave nga ekspertët në vendngjarje u konkludua se viktimat janë 22-vjeçarja Irma Daullja dhe vajza e saj e mitur me iniciale V.D, 2 vjeçe.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor ku aktualisht është duke kryer veprimet e para hetimore duke administruar të gjitha provat me synim sqarimin e rrethanave dhe motivet që kanë çuar në këtë ngjarje tronditëse.

Paraprakisht dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur së bashku me vajzën e saj 2-vjeçare, nga tarraca e katit 8 të pallatit ku banonin.

Grupi hetimor po ngre pistën e një vetëvrasje, pasi ekspertët mjeko-ligjorë konfirmuan se viktimat nuk kishin shenja dhune në trup.

Aktualisht, ekspertët janë duke marrë deklarimet e bashkëshortit dhe të afërmve të viktimave në lidhje me sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, ndërsa materialet do t'i kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Kavajës.

n.e/NOA

KOMENTE