English

Padia e Dulakut, nis procesi kundër kryeministrit Berisha

Tiranë, 5 Shkurt NOA - U zhvillua sot në Gjykatën e Lartë seanca e pajtimit mes palëve; i paditur Sali Berisha dhe i dëmtuar akuzues Artan Dulaku, bazuar në nenin 338 të Kodit të Proçedurës Penale.

Pasi trupi gjykues është njohur me prezencën e avokatëve të palëve në proçes, i ka vënë në dijeni këta të fundit me një kërkesë për përjashtim të relatores së çështjes znj. Mirela Fana, depozituar më datë 02.02.2010 nga ana e mbrojtësve ligjorë të të dëmtuarit akuzues z. Dulaku.

Në këtë kërkesë të protokolluar pranë Gjykatës së Lartë, Z. Dulaku me anë të avokatit të tij, shprehet se bazuar në nenet 19, 21/2 i K.Pr.P. znj. Fana si relatore e kësaj çështje do të ketë njëanshmëri ligjore dhe proçedim jo të drejtë e të barabartë në gjykim.

Në lidhje me këtë pretendim të ngritur nga pala e të dëmtuarit akuzues, relatorja e çështjes Z. Fana u shpreh se kërkesa është e pabazuar në ligj, duke mos përmbajtur asnjë shkak që e detyron të japë dorëheqjen, shkaqe këto të parashikuara në nenin 18 të Kodit të Procedurës Penale.

Trupi gjykues u ka komunikuar pjesëmarrësve në këtë proçes se bazuar në nenin 21 pika 2 të Kodit të Procedurës Penale në Gjykatën e Lartë do të hidhet shorti për përcaktimin e trupës së gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares relatore Znj. Mirela Fana.

Pas hedhjes së këtij shorti, anëtarët e trupit gjykues do ta shqyrtojnë këtë kërkesë më datë 09.02.2010.

Gjithashtu, pranë Kryetares së Gjykates së Larte Znj. Shpresa Beçaj, është dorëzuar dhe një kërkesë për dorëheqje nga ana e gjyqtares Evjeni Sinoimeri, e cila është anëtare e trupit gjykues së çështjes së mësipërme.

Znj. Sinoimeri ka paraqitur dorëheqjen përpara Kryetares së Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale pasi përfaqësuesi ligjor i z. Sali Berisha në këtë proçes është i afërm i familjes se Znj. Sinoimeri.

e.r/NOA - Më shumë mbi argumentin:

Gjykata e Lartë pranon padinë ndaj Mediut dhe Berishës

KOMENTE