Elbasan, 5 shkurt, BOA - Konfliktohen me forcat e policisë dhe i plagosin rëndë deri në atë gjendje sa për t'i shtruar në spital.
Fjala është për dy drejtues automjetesh, bashkë me pasagjerët e tyre, të cilët jo vetëm që nuk u janë bindur urdhrave të dhëna nga patrulla e policisë, por i kanë sulmuar fizikisht ata.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Elbasanit sipas të cilave ajo ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, konkretisht në vendin e quajtur "karburanti Taçi-Oil".
Sipas detajeve, thuhet se patrulla e policisë që përbëhëj nga punonjësit me inicialet I.L, A.K dhe E.Z, i ka dhënë shenjën e ndalimit mjetit tip Benz veturë me targë EL 8512 B dhe mjetit tjetër tip Benz veturë me targë CK 51 FPC.
Por të dy drejtuesit e mjeteve së bashku me pasagjerët e tyre kane dalë menjëherë nga mjetet e tyre duke ofenduar e goditur me mjete të forta punonjësit e policisë të cilët kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe aktualisht ndodhen për kurim në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa mësohet se autorët e saj janë Saimir Sula,vjeç 32, banues në qytetin e Elbasanit; Ismail Korra, vjeç 45; Gazmir Pisha, vjeç 34 dhe Agron Pisha, vjeç 32; që të tre këta të fundit banues ne fshatin Katundi i Ri të Elbasanit.
n.e/NOA