English

PS: Të vendosur për transparencë të zgjedhjeve me ose pa Berishën

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Partia Socialiste shprehu sot edhe njëherë qëndrimin e saj në mbështetje të dialogut në tryezën e Presidentit për t'i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike, me të cilën po përballet sot vendi.

"Partia Socialiste thekson me forcë qëndrimin e saj se zgjidhja e krizës mund të arrihet vetëm përmes transparencës së plotë të zgjedhjeve çka thuhet shprehimisht edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës", - deklaroi deputeti i PS, Blendi Klosi.

Ai tha se hapja e kutive të votimit është një element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve dhe si e tillë, ajo përbën një kërkesë të panegociueshme të Partisë Socialiste.

Kurse vlerësoi se "fatkeqësisht dje, Sali Berisha, njeriu që është shkaktari kryesor i situatës së vështirë në të cilën ndodhet sot vendi, na provoi me po të njëjtën gjuhë të politikës së vjetër se atij i mungon vullneti për zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer Shqipërinë, e cila po paralizon jetën institucionale, po rrënon ekonominë dhe shtetin e së drejtës".

Klosi siguroi më tej se Partia Socialiste është e gatshme të dialogojë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, "jo sepse këtë e kërkon thjesht Partia Socialiste, por mbi të gjitha sepse këtë e kërkojnë shqiptarët".

Por Partia Socialiste është po ashtu e vendosur që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve me ose pa Sali Berishën, dhe këtë hetim ai nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij e as me forcën e pushtetit, - paralajmëroi Klosi duke lëshuar një dozë të re "kërcënimi" ndaj mazhorancës.

e.r/NOA

KOMENTE