Kryeministri Berisha duket se po përpiqet të gjejë arsye për të shmangur tryezën e presidentit pas pranimit të sforcuar që i bëri kërkesës së ndërkombëtarëve për tu ulur në bisedime. Ashtu siç dhe pritej Berisha po përpiqet ta përdorë tryezën për të gjunjëzuar opozitën duke kushtëzuar suksesin e saj me pranimin paraprak të opsionit të tij për moshapjen e kutive. Ai ka dhënë sot një sinjal të qartë të distancës që ka ndaj dialogut duke rinxjerrë nga arkiva e tij figura politike që përdoren vetëm për gjeste radikale
Mero Baze*
Në përpjekje për të dhënë sinjale refuzuese për bisedimet me opozitën, Sali Berisha ka nxjerrë sot nga arkiva e kohës ë tij të vjetër një personazh që e përdor zakonisht për të artikuluar refuzimin e tij për dialog dhe bashkëpunim.
Edi Paloka, ish-zëdhënës i Partisë Demokratike në kohën kur ajo aplikonte bojkotin në opozitë, ka qenë viktima e parë e kursit të dialogut që PD filloi të aplikojë pas vitit 2002. Ai është mënjanuar nga jeta publike e kësaj partie qysh pas marrëveshjes së parë Nano-Berisha në pranverë të vitit 2002.
Prej atëherë ai u mbajt larg prej Berishës për shkak të ndryshimit të kursit të tij drejt dialogut me kundërshtarët dhe hapjes së partisë. Paloka ishte nga të paktit që guxoi ta kritikonte këtë Marrëveshje brenda PD-së dhe strukturave drejtuese të saj dhe të shprehte pakënaqësinë e hapur për mënjanimin që Berisha i bëri atij nga marrëdhëniet publike të PD-së.
Duke e profilizuar si një politikan të vijës së ashpër dhe radikale, Berisha e përdori Palokën sërish në zgjedhjet e vitit 2005 si kandidat në një zonë elektorale, ku shpresohej se do të përdorte forcën, për shkak të lidhjeve të tij me individë që pretendonin kontrollin e zonës.
Humbja e tij përballë Shpëtim Idrizit e la edhe më mënjanë prej Berishës. Rikthimi i tij në politikë, pas largimit të Bamir Topit për në presidencë, shënoi rikthimin e tij në jetën parlamentare, por jo afër Berishës. Fakti që Berisha është kujtuar të përdorë sërish ish-zëdhënësin e tij për të artikuluar qëndrimet e tij ndaj situatës politike në vend, është një sinjal i qartë i refuzimit dhe pozicionimit të skajshëm kundër çdo marrëveshjeje.
I dorëzuar përkohësisht nga presioni ndërkombëtar, pranimi i kushtëzuar që Berisha i bëri dialogut me opozitën, duket se u konvertua shumë shpejt në qëndrime radikale kundër dialogut. Edi Paloka është figura më e sinqertë e Partisë Demokratike, që përfaqëson mospajtimin me opozitën dhe gjuhën e skajshme kundër saj.
Si një ish-gazetar themelues i RD-së, ai ka qenë përdorur për një kohë të gjatë për sulmet të shfrenuara ndaj ish-liderit të opozitës Fatos Nano në kohën që ai u burgos dhe u gjykua për korrupsion në vitin 1993.
Aq e fortë ishte vetëdija e përdorimit kundër tij, sa në vitin 1997, Paloka u detyra të arratisej nga vendi për rreth dy muaj, pasi Fatos Nano doli nga burgu dhe u rikthye në zyrën e tij në Tiranë.
Ripërdorimi i Palokës si artikulues i qëndrimeve të PD-së, në një kohë që Berisha është vënë me shpatulla për muri, për t'u ulur në tryezën e bisedimeve, është një mënyrë tipike komunikimi e Berishës me faktorin ndërkombëtar dhe kundërshtarët, kur ai refuzon atë çfarë i imponojnë ata.
Në këtë rast i vetmi lajm i mirë, është rivlerësimi që Berisha po bën për zotin Paloka, të cilin thuajse e kishte harruar si një militant të sinqertë të PD-së dhe natyrisht lajm i keq është që Berisha ka mashtruar me qëndrimet e veta ambasadorët e Perëndimit dhe po dëshmon qartë se është shumë larg dialogut me opozitën.
Kjo do të thotë se në ditët që vijnë, lajmi më interesant do të jetë data e mitingut të opozitës se sa dita e tryezës false me presidentin.
(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale