English

Rritet papunësia, Sindikatat: Po shkurtohen vende pune

Tiranë, 5 Shkurt NOA/ Bleriona Ahmetaj - Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë deklaron se në vend po rritet numri i të papunëve me shpejtësi.

Një studim i fundit i sindikatës tregon se momentalisht kjo shifër i ka kapërcyer të 185 mijë persona.

Kryetari i Konfederatës, Kolë Nikolla, duke folur sot me agjencinë NOA, tha se vetëm si pasojë e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës dolën të papunë 800 punëtorë me kontratë të cilëve iu shkurtua vendi i punës.

"Nga studimi që ka kryer konfederata kohët e fundit rezulton se papunësia në vendin tonë është rritur me 35-38 për qind ose 185 mijë persona", - tha Nikolla.

Ai vuri në dukje se këto shifra janë të sakta pavarësisht atyre që deklarohen zyrtarisht.

Ne mendojmë se kjo rritje shpjegohet me shkurtimin e vendeve të punës si në sektorin privat dhe atë buxhetor.

Në zonën e Shkodrës, rreth 22 firma mbyllën aktivitetin e tyre pasi u dëmtuan nga përmbytjet.

Kjo bëri që të dilnin në rrugë 800 punëtorë, anëtarë të sindikatës sonë", thotë Nikolla.

Sipas konfederatës, qeveria premtoi hapjen e 160 mijë vendeve të punës por deri më sot ka vetëm shkurtime të punonjësve.

Në sektorin buxhetor, arsimi zë vendin e parë për numrin e punonjësve të shkurtuar. Nikolla thotë se institucioni ku duhen diskutuar këto probleme, Këshilli Kombëtar i Punës nuk funksionon prej 6 muajsh pasi i ka mbaruar mandati.

Ndonëse sindikata i ka bërë kërkesë qeverisë e cila duhet të mandatojë këshillin e ri, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Për këtë arsye, sindikatat po hyjnë në marrëveshje direkte me punëdhënësit duke i rekomanduar atyre të firmosin kontratat kolektive me punëmarrësit, ku u garantojnë këtyre të fundit respektimin e të drejtave të tyre në punë.

b.a/e.n/NOA

KOMENTE