Tiranë, 5 Shkurt, 2010 -Drejtori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla dhe komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të vendosur në mënyrë zyrtare mënyrat e bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve në të ardhmen. ILDKP, e krijuar më 2003 për të ndihmuar reduktimin e korrupsionit në sektorin publik në Shqipëri, kontrollon të gjithë zyrtarët shtetërorë dhe investigon konfliktet e interesit.
Çdo vit, ILDPK merr afërsisht 4,000 forma deklarimi dhe përmes investigimeve të plota, ai zgjidh mesatarisht njëqind raste të konfliktit të interesit, ku zyrtarët janë shkarkuar, gjobitur ose detyruar të tërheqin konfliktin e interesit, ndërsa rastet e zyrtarëve të nivelit të lartë i janë dërguar zyrës së prokurorit të përgjithshëm.
Ndërsa qëllimi i ILDKP-së është promovimi i transparencës, ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale", ligj mbi të cilin komisioneri i ri për mbrojtjen e të dhënave personale ushtron aktivitetin e tij, përcakton rregullat dhe procedurat për mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.
"Është e rëndësishme që këto dy agjenci të punojnë së bashku në mbrojtje të informacionit të ndjeshëm që ILDKP merr çdo vit nga zyrtarët shqiptarë si edhe të plotësojë nevojën për një transparence më të lartë dhe përgjegjshmëri prej të gjithë zyrtarëve shtetërorë", tha këshilltari i projektit të USAID-it, Grant Uilson.
"Agjencisë sonë i është dhënë një ndjenjë e lartë përgjegjësie dhe i janë besuar të dhëna personale të zyrtarëve shtetërorë", do të thoshte nga ana tjetër lidhur me një fakt të tillë, inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Llalla.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, homologë nga të dyja agjencitë morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbështetur nga USAID për të diskutuar rregullat mbi fshehtësinë dhe të drejtat e njeriut.
n.e/NOA