Të tjera foto te Galeria
Dajt - Tiranë, 6 shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha është filmuar nga një kamera amatore në malin e Dajtit, ku duket se terreni malor dhe bora e dendur nuk kanë mundur të ndërpresin rrugëtimin e tij prej 2 orësh.
Si admirues i klimës malore, kryeministri ka preferuar të pushoje së bashku me familjen në malin e Dajtit.
Në shoqërinë e tre vajzave të të bijës Argitës, e cila aktualisht shtatzënë pret të sjellë në jetë një djalë, dhe Jamarbërit dhëndrit, - këtë fundjavë kryeministri i vendit ka përfituar nga orët e lira që i bëri dhuratë vetes që të "kalitet" dhe në ecje sportive siç dallohet dhe në fotot e këtij lajmi dhe fotot që gjeni te Galeria.
Në këtë ditë ndryshe, Berisha ka qenë i shoqëruar nga mbesat e veta, për të cilat edhe në prononcimet publike ka shprehur gjithnjë dobësi dhe admirim.
Por pasioni i kryeministrit në sportin ekstrem të ngjitjes në lartësi tashmë është një fakt i njohur për këdo.
Disa muaj më parë, Berisha arriti të ngjitet në këmbë në krye të malit të Dajtit, duke dëshmuar se lartësia e këtij mali nuk është aspak sfidë për të.
Këtu nuk duhet harruar as sfida që Berisha bëri dhe në Kinë ku arriti të ishte i vetmi politikan i lartë jokinez që arrinte më këmbë të hipte në majë të murit të famshëm që është i vetmi objekt tokësor që shihet dhe nga jashtë planetit.
Pasioni për malin dhe ngjitjet në lartësi, nuk lë pas as atë për notin. Në gushtin e këtij viti, kryeministri theu një tjetër rekord personal duke notuar në Dhërmi për disa orë rresht pandalur.
Kjo ishte një ngjarje që në fakt rrëmbeu vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, madje atëherë Berisha premtoi se verën që vjen, do të ishte i gatshëm të notonte në prani të kamerave, pa u ndalur, deri në Korfuz të Greqisë.
r.b/NOA