English

Edi Rama: PS, gati për betejë demokratike në rrugë

"Jemi për betejë demokratike në rrugë deri në zmbrapsjen e këtij pushteti që nuk na lejon të shohim votën tonë. Unë ushtroj këtë mandat, nuk kam mandat tjetër. Nuk harroj, dhe besoj është në sytë e të gjithëve se përshkallëzimi i kësaj proteste ka sjellë pranë nesh pra pranë popullit socialist të gjithë popullin opozitar majtas e djathtas, ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar frontin edhe më përfaqësues të shoqërisë, shoqata dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqipërinë do të jetë publik, përtej partive politike përtej çdo kufiri që na ndan në kushte normale, por që nuk ekziston në kushtet kur duhet të garantojmë liri dhe demokraci për të gjithë"

Durrës, 6 Shkurt NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në Durrës, deklaroi se kjo forcë politike, ka si qëllim të zhvillojë një "betejë demokratike në rrugë deri në zmbrapsjen e këtij pushteti që nuk na lejon të shohim votën tonë".

Më poshtë ndiqni zbardhjen e të gjitha pyetje-përgjigjeve:

Sa parashikoni që kjo krizë të marrë fund pas tryezës me Presidentin Topi?

Të gjithë janë të njohur me faktin se ne nuk e kemi filluar protestën tonë me bojkotin e parlamentit. Ne e kemi filluar qasjen tonë ndaj kësaj çështjeje madhore që është çështja e lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, me një kërkesë publike për palën tjetër në raport me parlamentin, përpara sesa parlamenti, të konstituohej në shtatorin e vitit të shkuar. Në kërkesën tonë të përbërë prej një sërë pikash, ne kemi parashtruar arsyet pse kushtëzojmë marrëdhënien me parlamentin. Kemi kërkuar që pala tjetër të shprehë vullnetin për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, procesin para, gjatë dhe pas 28 qershorit, si dhe për të pranuar disa masa paraprake të domosdoshme lidhur me barazinë përpara ligjit dhe njëkohësisht barazinë kushtetuese në raport me mediat, duke theksuar që në rast se kërkesat tona merren parasysh ne hyjmë menjëherë në parlament. Këtë e kemi bërë përpara fillimit të punimeve të parlamentit dhe konstituimit të tij, me qëllimin e vetëm që parlamenti të fillojë punën normalisht, por njëkohësisht të jetë një parlament që vetëlegjitimohet, pas një procesi zgjedhor që ne e konsiderojmë të papranueshëm për nga standardet e tij, duke hetuar këtë proces.

Sikundër të gjithë e dini, pala tjetër vendosi bojkotin tonë. Pala tjetër vendosi përshkallëzimin e protestës tonë duke bërë veshin e shurdhër karshi kërkesave tona. Kërkesat tona nuk përmbajnë asnjë element imponimi, apo asnjë synim as të hapur dhe as të fshehtë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit në tavolinë. Kërkesat tona përmbajnë shprehjen e vullnetit tonë për të mos lejuar që zgjedhje si ato që kaluan të mos përsëriten më në të ardhmen. Në të gjithë këtë proces ne kemi qenë qysh në krye të herës të gatshëm për dialog dhe për një zgjidhje që vjen nga rruga e bisedimit dhe e mirëkuptimit, duke pranuar bashkërisht që hetimi zgjedhjeve është një parakusht për të garantuar cilësinë e tyre në të ardhmen, për t'i dhënë fund një historie të shëmtuar zgjedhjesh të deformuara dhe të kontestuara prej shumë e shumë vitesh tanimë.

Sot jemi në kushtet kur kemi paralajmëruar një përshkallëzim të protestës ndërkohë që është hapur spiralja e një dialogu të mundshëm në tryezën e Presidentit të Republikës falë ndikimit të drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar, i cili është shprehur nëpërmjet Këshillit të Europës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke pranuar tezën themelore të protestës tonë.

Jemi të gatshëm të ulemi në çdo moment që Presidenti i Republikës do ta thërrasë këtë tryezë dhe do ta kërkojmë me këmbëngulje zgjidhjen në tryezë në funksion të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit që sipas nesh është e pamundur pa hapjen e kutive të votimit.

Po ndërkohë po zhvillojmë gjithë këto takime në të gjithë Shqipërinë për një arsye të thjeshtë, se asnjë zvarritje dhe vonesë e qëllimshme ose jo e këtij dialogu nuk mund të ndalë nga ana tjetër përgatitjen tonë për rrugën alternative të tryezës, që është rruga e protestave në rrugë, të cilat ne nuk do t'i ndalim dhe do t'i zhvillojmë me vullnet dhe me vendosmëri për t'i shkuar deri në fund, jo një kërkese, tonës, por vendosjes së një të drejte që ne kemi, ndërkohë që preferojmë që kjo e drejtë të vendoset me mirëkuptim në tryezë.

Ju kërkoni gjithçka, pala tjetër nuk jep gjithçka?

Nuk bëhet fjalë që ne të fitojmë gjithçka, dhe që pala tjetër të humbi gjithçka, bëhet fjalë që shqiptarët të fitojnë përfundimisht. Nuk është një kërkesë e një pale në dëm të një pale tjetër, nuk është një betejë për pushtet në tavolinë, nuk është një interes i pjesshëm në dëm të një interesit të një pjese tjetër, është një e drejtë që nuk mund të mohohet më në këtë vend. E drejta për transparencë lidhur me aktin thelbësor që garanton demokracinë në një vend, akti i vendimmarrjes së popullit përmes votës. Ne nuk shkojmë në tryezë për të zhvilluar një betejë gladiatorësh, kur njëri duhet të triumfojë dhe tjetri duhet të gjunjëzohet, përkundrazi shkojmë në tryezë për të tentuar mirëkuptimin lidhur me domosdoshmërinë që kjo e drejtë të vendoset. Është një e drejtë që i takon të gjithëve dhe ne luftojmë sot bashkë me shumë të tjerë për një të drejtë që nuk është vetëm e jona, por është e të gjithëve dhe që nuk mund të bëhet një e drejtë relative e varur nga vullneti i pushtetit që sa herë ka zgjedhje gëzon një epërsi të patolerueshme, përdor mjete të papranueshme dhe përcakton në një rrugë të paligjshme rezultatin e votimit. Historia që tjetër njerëzit dëshirojnë, tjetër votojnë për shkak të trysnisë dhe presionit, tjetër numërojnë për shkak të korrupsionit elektoral, dhe tjetër rezultat ka në fund nga vullneti i tyre duhet të mbarojë. Për këtë ne jemi në këtë betejë. Rezultati i zgjedhjeve është një rezultat përfundimtar, i një procesi ligjor, ne e pranojmë këtë rezultat, por ne nuk pranojmë që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme të dalë po në këtë mënyrë. Dhe ne e konsiderojmë transparencën e zgjedhjeve gurin e themelit për të hapur një epokë të re me zgjedhje të lira dhe të ndershme ku konkurrojnë alternativat dhe jo luftojnë një opozitë, cilado qoftë ajo me një pushtet të bërë njësh me shtetin si një makineri e cila preson dhe transformon procesin elektoral dhe rezultatin e tij.

Pyetje: Po pjesën e negocimit në nivele më të ulëta, para se të shkoni në tryezë?

Këto janë modalitete që nuk kanë lidhje me thelbin. Thelbi është të gjejmë mirëkuptimin për të hetuar bashkërisht zgjedhjet e 28 qershorit me vullnetin e përbashkët që në Shqipëri mos thuhet më zgjedhjet ishin më të mira se ato që kaluan, por s'janë aq të mira sa ato që duhen, por të zhvillojmë zgjedhje të standardeve ndërkombëtare si një vend i NATO-s, si një vendi i BE. Dhe për këtë ekzistojnë të gjitha mundësitë, ashtu sikundër nuk ka asnjë arsye tjetër përveç mosarsyes së pushtetit që nuk duhet të ketë më fuqi mbi zgjedhjet.

A ka kanale komunikimi mes jush dhe kryeministrit, pasi ai ka thënë se nuk i mbyll asnjëherë rrugët e komunikimit me kundërshtarin?

Unë nuk dëshiroj të spekuloj dhe nuk dua të them që mendoj se Sali Berisha kërkon ta zvarrisë dialogun për të kapërcyer dimrin dhe për përgjumur opozitën, e cila ka sot 1001 arsye për të protestuar, duke u nisur nga deformimi i zgjedhjeve dhe nga marrja peng e të vërtetës në kutitë e votimit kundër Kushtetutës dhe ligjit, por duke e shtrirë horizontin e protestës së saj në të gjitha përmasat e krizës ekonomike të vendit, në të gjitha përmasat e krizës së shtetit të së drejtës, në të gjitha përmasat e krizës së demokracisë, që shkojnë e lidhen padyshim me lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur. Sot kriza shqiptare është një krizë që ka hyrë në çdo shtëpi. Sot çdo familje shqiptare paguan me xhepin e vete pasojat e kësaj krize, që shkon duke u rënduar. Zvarritja e bisedimeve, sajimi i modaliteteve teknike për të mos e zhvilluar këtë dialog në kohën dhe me intensitetin e duhur mund të jetë një teknologji për të bërë taktikë dhe për të çuar ujë në mullirin e pushtetit, por nuk mund të funksionojë në raport me opozitën dje me vetëdijen dhe me qëllimet tona.Prandaj, ne jemi këtu sot në respekt të një dialogu të pakushtëzuar nga një atmosferë e tensionuar politike jashtë tryezës. Ne nuk e dhamë datën e protestës së madhe, ne nuk e siguruam rrugëtimin drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit duke shkuar shesh më shesh duke protestuar, por zgjodhëm këtë rrugë, rrugën e takimeve shpjeguese duke lenë qartësisht të kuptohet, se jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, por njëkohësisht nuk jemi absolutisht të predispozuar të përgjumemi, përkundrazi po përgatitemi për protestën e madhe në rast se tryeza nuk do të jap rezultat. Dhe nuk do të humbim asnjë minutë kohë dhe nuk do shtyjmë asnjë afat në kuadrin e programit tonë të përcaktuar kohë më parë, për tu përballur me këtë pushtet në rast se ky pushtet nuk ka vullnetin për tu përballuar me të vërtetën e kutive të votimit.

Vetë Topi është shprehur se hapja e kutive është e paligjshme?

Unë nuk e kam dëgjuar Presidentin të shprehet se hapja e kutive është e paligjshme, por nga ana tjetër edhe në rast se kjo është e vërtetë pak rëndësi ka për ne, sepse ne nga njëra anë besojmë që hapja e kutive është një e drejtë kushtetuese për transparencë e popullit shqiptar dhe një e drejtë ligjore e parlamentit për të hetuar një çështje të veçantë. Nga ana tjetër Presidenti Republikës është kushtetueshmërisht simbol i unitetit kombëtar dhe institucioni që e garanton një tryezë mes palëve si një institucion mbi palët. Kjo është arsyeja pse qysh në krye të herës ne e kemi kërkuar një tryezë të tillë dhe pse sot ne jemi të parët që e kemi pranuar pasi komuniteti ndërkombëtar ka adresuar krizën në tryezën e Presidentit Republikës.

Aludohet se opozita kërkon të përdorë dhunën, si e komentoni këtë akuzë?

Unë nuk di se kush mund të gjejë dhe si mund ta gjejë në gjithë shprehjen e revoltës sonë nxitjen e dhunës. Kam vënë re që eksponentë të pushtetit kanë shprehur habi dhe që altoparlantë të tyre në media janë shprehur të skandalizuar për krahasimin që kam bërë me protestat e vitit 90. Nuk kanë asnjë arsye të grabiten dhe as të skandalizohen aq më tepër që protestat e vitit 90 s'kanë pasur asgjë të dhunshme, por kanë pasur në thelbin e tyre të njëjtën nevojë për liri e demokraci që në kushte të ndryshme padyshim nuk jemi në të njëjtat kushte, pasi nuk flasim për një regjim komunist barbar dhe gjakatar, por flasim për një regjim oligarkik familjar dhe klientelist dhe për rënie të shtetit të së drejtës. Pra, janë protesta që zhvillohen për liri e demokraci në çdo vend dhe nga çdo popull që lirinë dhe të drejtat e tij nuk është i gatshëm t'i falë apo t'i delegojë tek pushteti. Janë protesta që zhvillohen kudo. Kurdoherë ku ka nevojë për garantimin e lirive dhe të drejtave. Protesta jonë nuk ka të bëjë fare me dhunën. Ka të bëjë me rezistencën demokratike ndaj dhunës antikushtetuese dhe antiligjore të një pushteti ilegjitim, i cili nuk pranon të bëjë transparencën e kutive të votimit. Thënë kjo, dua ta ritheksoj që ne jemi katërcipërisht të vendosur për t'i shkuar deri në fund kësaj beteje. Kjo jo beteja e një pale ndaj një pale tjetër, në rast se do të ishte beteja e një pale ndaj një tjetre të jeni të sigurt që unë nuk do isha në krye të kësaj beteje. Kjo është beteja për një Shqipëri që voton dhe zgjedh lirisht. Këtë Shqipëri ne ende sot nuk e kemi.

Ç'ndodh nëse hapen kutitë...?

Nëse hapen kutitë e votimit dhe bëhet transparencë ne në bazë të asaj që do dali nga kutitë e votimit, do t'i drejtohemi organeve të drejtësisë dhe do të kërkojmë që çdo person përgjegjës për deformimin të përgjigjet para organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojmë luftën tonë demokratike në parlament të ulur në karriget e opozitës.

Mos ndoshta po të kishit qenë në kuvend do kishit pasur më shumë sukses...

Për këtë unë kam përgjigjen të paktën të popullit socialist: Jo! Të paktën të popullit socialist të cilin e kam pyetur drejtpërdrejt të cilin e kam pyetur kur kam dhënë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të partisë dhe kam rivendosur kandidaturën time me një kërkesë shumë të qartë. Unë besoj se në 28 qershor populli votoi alternativën dhe programin tonë dhe pushteti nuk lejoi që ne të zgjidhemi për të qeverisur Shqipërinë. Në rast se edhe ju besoni të njëjtën gjë ju kërkoj votën për të hapur një betejë, jo më për pushtetin, por për lirinë dhe demokracinë në këtë vend duke bojkotuar parlamentin dhe duke protestuar deri në fund për të mbërritur me çdo çmim te Shqipëria që voton lirisht, te Shqipëria që numëron ndershmërisht votën e saj, te Shqipëria që sheh me transparencë si është bërë numërimi i votës së saj. Përgjigja e popullit socialist ka qenë 94 %; Po jemi për bojkot të parlamentit deri në plotësimin e kërkesave tona.

Jemi për betejë demokratike në rrugë deri në zmbrapsjen e këtij pushteti që nuk na lejon të shohim votën tonë. Unë ushtroj këtë mandat, nuk kam mandat tjetër. nuk harroj, dhe besoj është në sytë e të gjithëve se përshkallëzimi i kësaj proteste ka sjellë pranë nesh pra pranë popullit socialist të gjithë popullin opozitar majtas e djathtas, ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar frontin edhe më përfaqësues të shoqërisë, shoqata dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqipërinë do të jetë publik, përtej partive politike përtej çdo kufiri që na ndan në kushte normale,por që nuk ekziston në kushtet kur duhet të garantojmë liri dhe demokraci për të gjithë.

FUND

KOMENTE