English

Opozita komenton rrëzimin nga Kushtetuesja të ligjit për kontabilistët

Tiranë, 6 Shkurt NOA Update - Gjykata Kushtetuese shpalli dje si antikushtetues pjesë të ligjit "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar".

Duke u nxitur nga ky fakt, Partia Socialiste shfrytëzoi sot rastin të konsiderojë se kjo është një tjetër "shuplakë" që Gjykata Kushtetuese i jep përpjekjeve të mazhorancës për të miratuar ligje që bien ndesh me Kushtetutën dhe që kërkojnë të vendosin rregulla juridike me ligje që votohen me shumicë të thjeshtë.

Vasilika Hysi, deputete e PS tha se tanimë, është rast i përsëritur, injorimi haptas që mazhoranca i bën parimeve e kushtetueshmërisë së shtetit në procedurën formale të miratimit të ligjeve, por edhe në përmbajtjen e tyre: si në ligjin për lustracionin apo në marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë.

"Injorimi që i bëhet Kushtetutës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nuk janë rastësi, por mënyrë e qeverisjes dhe shprehje e prirjeve teje të theksuara për të injoruar çdo pushtet tjetër dhe për të përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e pushtetit ekzekutiv", - tha Hysi.

Sipas saj, këtë përfundim e vërteton më së miri, nismat e tjera ligjore të hedhura në tregun mediatik, para se të bëhen pjesë e nismave të institucioneve të interesuara dhe debateve me ekspertë dhe institucionet përkatëse.

Për PS, përpjekjet për të ndryshuar ligje të rëndësishme si: ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar, ligjin "Për policinë gjyqësore", miratimi i ligjit për parandalimin e krimit të organizuar mes goditjes së pasurisë etj., trumbetohen si nisma që synojnë të luftojnë krimin e organizuar, të rrisin efektivitetin e institucioneve të ngarkuara me ligj për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, por në fakt, janë nisma në vazhdën e dëshirave të shfrenuara për të cënuar kushtetutën, pavarësinë e institucioneve dhe parimet e vendosura në kodet e miratuara me votim të cilësuar.

"Në një kohë, kur opozita, në respekt të Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të pavarësisë së gjykatave, rezolutës së Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës kërkon hetim parlamentar dhe hapjen e kutive për të hetuar, mazhoranca betohet dhe përbetohet për respektim të Kushtetutës, të vendimeve Gjykatës Kushtetuese, dhe nga ana tjetër, i injoron totalisht ato dhe nuk kursen një lum fyerjesh dhe shpifjesh për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sa herë që këta të fundit vendosin në emër të Kushtetutës".

Në këtë pikë, Hysi tha se PS i bën thirrje mazhorancës që të heqë dorë nga nisma ligjore që bien ndesh me Kushtetutën dhe procesin formal dhe substancial të bërjes së ligjeve.

"Ne i bëjmë thirrje mazhorancës dhe Kryeministrit Berisha që para se të ndërmarrë nisma ligjore të rëndësishme, të konsultohet me institucionet që zbatojnë ligjet dhe në analizat objektive të efektivitetit të tyre, dhe jo në dëshirat për të kontrolluar dhe marrë në një dorë të gjitha pushtetet", - theksoi Hysi.

e.r/NOA

KOMENTE