Shkup, 6 shkurt, NOA / Arben Llalla - Siç kemi shkruar në shkrimet e mëparshme shumë kryetarë që kanë udhëhequr Greqinë kanë qenë shqiptar ose kanë pasur origjinë shqiptare.
Njëri nga këta kryetarë që ka origjinë shqiptare është edhe kryetari i sapo-rizgjedhur ditën e mërkurë i Greqisë, Karolos Papulias i cili që herët është një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Karolos Papulias, 81 vjeçar, u rizgjodh nga Kuvendi i republikës Greke me 266 vota pro nga gjithsej 298 deputet të pranishëm.
Më 12 mars 2010, Papulias do të bëjë betimin mbas mbarimit të mandatit të parë të tij si President i Greqisë.
Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratuar nga Kuvendi i Greqisë.
Ai ka lindur në të vërtetë më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. Siç jemi të njohur nga historia në vitet 1945 forcat reaksionare greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare çame nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, edhe qindra bashkëfshatarë të Kryetarit të sotëm grek u përzunë me dhunë nga fshati i lindjes Voshtina.
Pas mbarimit të shkollës së mesme në Janinë Karolos Papulias studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe doktoraturën e mbrojti në universitetin e Këlnit. Që në moshë të re ishte pjesëtar i rezistencës kundra pushtuesve nazistë gjermanë. Më 1974 u bashku në partinë socialiste PASOK dhe u bë anëtar i Këshillit Qendror të Lëvizjes dhe që nga Prilli i 1975 zgjidhet Sekretar i Komisionit të marrëdhënieve me jashtë të PASOK-ut dhe në vitin 1977 zgjidhet për herë të parë deputet i PASOK-ut për Janinën. Ai ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë i themeluesit të PASOK, Andrea Papandreut, Papulias mori postin e Ministrit të Jashtëm më 1981 dhe që atëherë luajti një rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të qeverisë së Pasok-ut.
Ka qenë Ministër Plotësues i Jashtëm 8/2/1984-5/6/1985 dhe nga 5/6/1985- 26/7/1985 dhe Ministër i Jashtëm 26/7/1985-2/7/1989 si dhe në periudhën nga 13/10/1993-22/1/1996. Në Nëntor të 1989 mori pjesë në qeverinë ekonomike të Ksenofoda Zolotas si Ministër Plotësues i Mbrojtjes Kombëtare. Më 24 Shtator 1990 në Kongresin e dytë të socialistëve grek zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të partisë post në të cilin rizgjidhte deri në Kongresin e gjashtë në Nëntor të 2001. Më 11 Tetor 1995 zgjidhet për herë të parë anëtarë i Këshillit Ekzekutiv të PASOK-ut dhe një vit më vonë u betua si anëtarë i Sekretarisë Politike. Në Tetor të vitit 1996 zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe në Korrik të 1999 zgjidhet Kryetar i Komisionit për çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes të parlamentit grek, post në cilin rizgjidhet edhe më 2001, 2002 dhe 2003. Është i martuar me Maria Panu dhe ka tre vajza.
Njeriu që shkrinte akujt e politikës greko-shqiptare
Karolos Papulias kur ishte ministër i jashtëm bëri vizitën e parë në Shqipëri më janar të 1985 në hapjen e pikës të kalimit kufitar të Kakavijës. Në nëntor të vitit 1987 Karolos Papulias me një grup ministrash grek vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Midis ministrave në atë vizitë ishte edhe ministria e kulturës greke arvanitia Melina Mërkuri. Kur marrëdhëniet greko-shqiptare në nëntor të vitit 1993 ishin të keqësuar për arsye të dëbimit të një prifti grek nga Shqipëria i cili akuzohej për agjitacion. Atëherë policia greke dëboi me forcë mbi 80 mijë emigrantë ekonomik shqiptarë nga Greqia. Ministri i jashtëm grek i Partisë Socialiste PASOK i sapo zgjedhur Karolos Papulias do të udhëtonte drejtë Shqipërisë për të zhbllokuar marrëdhëniet dypalëshe që ishin ngrirë në qershor të vitit 1993, kur në pushtet në Greqi ishte Partia Demokracia e Re. Në prill të vitit 1994 në repartin ushtarak të Peshkëpisë të rrethin e Gjirokastrës një komando paramilitare greke e grupit MAVI vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arben Gjini. Po në gusht të atij vitit piloti grek Kosta Vrakas hedh nga avioni i tij në Jug të Shqipërisë fletushka me shkrime kundër Kryetarit të shtetit shqiptar z.Sali Berisha. Dhe përsëri ishte ministri i jashtëm i Greqisë Karolos Papulias që do të udhëtonte në Tiranë për të zhbllokuar krizën politike midis dy vendeve.
Origjina shqiptare
Sipas një shkrimi të botuar në gazetën Republika në gusht të vitit 1995 shkruhet se: "Karolos Papulias është me origjinë të pastër shqiptare. Babagjyshi i tij quhej Sulejman dhe i përkiste fesë islame dhe ishte nga fshati Voshtina". Këtë e deklaroi arvanitasi i shquar tashmë i nderë Aristidh Kola.
Kryetari grek Karolos Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak çamin Fuat Boçin dhe midis tyre ruhet ende një miqësi e mirë. Gazetarja Marina Vihu përmes një shkrimit të saj botuar në vitin 2005 ndër të tjera sjell kujtimet fëmijërore nga jeta e Fuat Boçit: "Një ditë ndërsa ishim nisur për në shkollë me Karolosin, na u kthye mendja dhe shkuam për zogj. Ditën tjetër, mësuesja na nxori të dyve para klasës dhe na i shkuli veshët kaq fort, saqë më dhembin edhe sot e kësaj dite". Fuat Boçi po ashtu kujton të atin e Karolos Papulias, kolonelin atëherë në lirim Grigoris Papulias, i cili i nxirrte thuajse lakuriq në dëborë, i mbulonte me të dhe pastaj i vinte të vraponin që të kaliteshin.
NOA-INA