English

PD, Bumçi: Rama po e lexon kokëposhtë Rezolutën e KE

Tiranë, 6 Shkurt NOA - Partia Demokratike akuzoi sot liderin socialist se po e lexon abuzivisht Rezolutën e Këshillit të Evropës.

Aldo Bumçi nga PD tha për mediat se "jam përpara jush për te denoncuar leximin kokëposhtë te Rezolutës të Këshillit të Evropës nga Edvin Kristaq Rama në një kohë kur qeveria ka pranuar pikë për pikë rezolutën, ka pranuar dhe është deklaruar e gatshme për të vendosur dialogun rreth zbatimit të saj dhe rikonfirmon gatishmërinë për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar".

"Të gjithë këtyre z. Rama i është përgjigjur me kërcënime bajate për protesta dhe kërkesën antiligjore dhe anti-kushtetuese te rinumërimit të votave pasi gjykata ka vendosur të kundërtën e kësaj kërkese", - deklaroi Bumçi.

Këtu ai vlerësoi se "me qëndrimet e tij z. Rama dëshmon se po bën çdo gjë që të djegë mandatet e grupit Socialist, po dëshmon se mentaliteti i etërve te tij shpirtërorë dhe biologjik dhe jo parimet e te drejtës dhe shtetit ligjor janë frymëzim i tij".

Në fund të deklaratës për shtyp, Bumçi i drejtua z. Rama, "që shkon dhe kërcënon për protesta dhe leitnantët i nxjerr për të kërkuar llokma pushteti", se "thirrjet për protesta mund të mallëngjejnë Takun dhe Nardin; mund te mashtrojnë ndonjë gazetar presidiumesh por nuk mund t'i imponosh kësaj maxhorance as edhe gjënë më të vogël që bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi".

e.r/NOA

Lexoni replikën: PS: Zvarritja e dialogut nuk na ndalon përgatitjet për protesta

KOMENTE