Degë të ndryshme të shërbimeve civile dhe publike janë ngritur në protesta, apo kanë paralajmëruar greva, për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, me theks të veçantë në rritjen e pagave. Të gjithëve u ishin premtuar paga më të larta përgjatë fushatave të ndryshme paraelektorale dhe prononcimeve të ndryshme institucionale
Nga Vetëvendosje
E filluan mjekët të cilët gjatë tërë javës së kaluar protestuan duke kërkuar rritjen e pagave të premtuara kohë më parë, pastaj miratimin dhe zbatimin e ligjit për sigurimin shëndetësor si dhe ligjin e punës. Java pastaj vazhdoi me grevat e policëve kërkesat e të cilëve ishin, përveç rritjes së pagave, edhe zbatimi i tërësishëm i ligjit të policisë si dhe ndryshimi i kontratave të punës nga të përkohshme në të përhershme.
Punëtorët e Teatrit Kombëtar janë në grevë tash sa kohë, e po ashtu për javën e ardhshme greva kanë paralajmëruar punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërkohë që protesta edhe greva kanë paralajmëruar punëtorët e gjykatave dhe prokurorive, Sindikata e Administratës publike, si dhe ajo e Administratës Tatimore. Në anën tjetër, punëtorët e Llamkosit janë duke kërkuar tash sa kohë, përmes protestave dhe tubimeve të ndryshme, qartësimin e pozitës së tyre dhe të ndërmarrjes së tyre, e cila ishte privatizuar për t'u kthyer prapë në pronësi të AKP-së.
Të gjitha këto greva e protesta e kanë një emërues të përbashkët: ato tregojnë zëshëm për stërkeqjen e institucioneve politike të vendit dhe politikave të cilat këto institucione ndjekin.
Qysh prej vitit 1999 UNMIK-u në bashkëpunim me të gjitha qeveritë e Kosovës pa dallim kanë ndjekur politika të skajshme neoliberale të cilat shkurtojnë dukshëm shpenzimet për shërbimet publike në emër të qëndrueshmërisë buxhetore, me qëllim të zvogëlimit të shtetit dhe drejt privatizimit sa më të madh të tij. Prandaj sot e kemi sistemin shëndetësor të shkatërruar dhe pa sistem të sigurimeve shëndetësore. Kohëve të fundit kanë filluar të lulëzojnë, sikur ordinancat e spitalet private, edhe kompanitë e sigurimeve që ofrojnë sigurim shëndetësor.
Prandaj edhe kemi shumë më shumë fakultete, kolegje e universitete private, për shkak se sistemi publik i arsimit është rrënuar tërësisht. Tash do të na e privatizojnë furnizimin dhe prodhimin e energjisë elektrike, ndërmarrjet skajshmërisht profitabile si PTK dhe Aeroporti Ndërkombëtar. Nesër do të na e privatizojnë ujin e ngrohjen qendrore. Që të na mbetet vetëm ajri.
Kërkesat për rritje të pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës janë minimaliste krahas asaj që i nevojitet Kosovës. Dhe nuk është aspak e vërtetë që rritja e tyre është e pamundshme.
Qeveria e Kosovës i përdor paratë e Buxhetit të Kosovës për investime absurde nga të cilat përfitojnë vetëm politikanët dhe kompanitë e afërta me ta, të cilët i fitojnë tenderët. Qeveria ka projekt 80 milionësh për kompjuterizim të shkollave dhe shtrirjen e fibrave optik për të gjitha shkollat e Kosovës, ndërkohë që nxënësit mësojnë në klasë të ngushta, e mësuesit kanë të ardhura të mjaftueshme për të dalë nga varfëria ekstreme në varfëri.
Ky zgjim i shërbyesve civilë dhe punëtorëve të Kosovës është lajm shumë i mirë. Të gjithë punonjësit në Kosovë duhet të bashkohen dhe të protestojnë bashkë, meqenëse kërkesat e tyre janë të ngjashme. Ligji i punës, njëra prej kërkesave kryesore në këto protesta, është domosdoshmëri për të gjithë.
Mirëpo ligji i punës në vetvete nuk sjell dobi. Punëtorët e organizuar duhet t'i kenë të qarta kërkesat e tyre dhe të insistojnë në futjen e tyre brenda ligjit të punës. Dhe këtu duhet të bashkohen edhe studentët, pensionistët e të papunët. Për shkak se këto kërkesa dhe ky legjislacion e ndikon të gjithë shoqërinë.
Vetëm një qytetari e organizuar mund ta përkthejë rritjen ekonomike në mirëqenie, meqenëse trendi aktual i ekonomisë politike në Kosovë është në rrugë drejt koncentrimit të pasurisë në duart e një pakice. Ndërkohë që kjo pasuri krijohet nga punëtorët, ashtu siç është krijuar nga brezat e kaluar të punëtorëve, pasuria të cilën e kemi trashëguar. Kjo pasuri është e të gjithëve dhe duhet të na takojë të gjithëve.
Dërguar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! - Prishtinë, 6 shkurt 2010