Tiranë, 6 Shkurt NOA - Ministria e Brendshme ka vendosur të aplikojë një procedurë të re për marrjen e pasaportave biometrike, pas ankesave të shumë qytetarëve, kryesisht emigrantë për vonesa shqetësuese për përftimin e dokumentit ndërkombëtar të identifikimit.
Fatmir Konja, zëdhënës i MB, në një dalje të posaçme fillimisht tha se procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike, kryhet mbi rregulla të forta sigurie që nga momenti i aplikimit deri në marrjen në dorëzim të pasaportës nga shtetasi.
Pikërisht në funksion të këtyre rregullave të sigurisë, Ministria e Brendshme lajmëron qytetarët se për të marrë në dorëzim pasaportën biometrike për të cilën kanë aplikuar, duhet të paraqiten më parë tek punonjësi i policisë, i cili ndodhet në të njëjtin ambient me zyrat e "Aleat" që shpërndajnë pasaportat biometrike.
Konkretisht, do të veprohet në këtë mënyrë:
- Në rast se shtetasi disponon pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit.
-Në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë pas verifikimit në sistem, i lëshon vërtetimin përkatës.
-Në rast se shtetasi rezulton në sistem i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër dhe sqaron se nuk e ka pasaportën, për arsye se i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar, shtetasi drejtohet për të deklaruar këtë tek komisariati i policisë që e ka lëshuar atë pasaportë. Aty pajiset me vërtetimin përkatës nga specialistët e policimit në komunitet pasi lëshon një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me pasaportën e tipit të vjetër.
Në këtë mënyrë shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së "Aleat" vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar.
Nëpunësi i "Aleat" verifikon pasaportën e bërë të pavlefshme dhe ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas të dy rasteve të sipërpërmendura, dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së pasaportës së re biometrike për shtetasin.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka caktuar tashmë personat përkatës për kryerjen e kësaj procedure dhe ka dhënë udhëzimet e nevojshme për një shërbim sa më të shpejtë e profesional ndaj qytetarëve.
Ministria e Brendshme gjeti rastin t'u bëjë përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të "Aleat" për të aplikuar dhe për t'u pajisur me pasaporta biometrike duke përforcuar kështu suksesin e të gjithë procesit të përmbushjes së kritereve për përfitimin së shpejti të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.
Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po vijon me ritme të shpejta dhe treguesit e tij kanë tejkaluar tashmë edhe parashikimet më optimiste të MB.
Konkretisht deri ditën e djeshme, datë 05.02.2010, sipas të dhënave nga kompania "Aleat", numërohen rreth 475 mijë aplikime për pasaporta biometrike.
e.r/NOA