Berisha priti Arqipeshkvin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Rrok Mirditën
Tiranë, 6 Shkurt NOA - Qeveria ka vendosur ta festojë në mënyrë madhështore jubileun e 100-vjetorit të Nënë Terezës, duke e kthyer Tiranën në një nga kryeqytetet kryesore, ku do të përkujtohet ky jubile.
Për këtë argument është diskutuar në selinë e Kryeministrisë mes kryeministrit Sali Berisha dhe Arqipeshkvit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Rrok Mirditën.
Në takim u bisedua rreth përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.
Rrok Mirdita i paraqiti kryeministrit sugjerimin për një vlerësim të shtatores së Nënë Terezës, duke përzgjedhur një vend më të dukshëm në sheshin e kryeqytetit që mban emrin e saj.
Gjithashtu u bisedua edhe mbi vendosjen dhe formën e memorialit të Nënë Terezës, i cili do të ngrihet në territorin e këtij sheshi.
Në këtë takim Rrok Mirdita i dhuroi kryeministrit veprën e tij themelore në tre vëllime "Për një Shqipëri me Zotin".
r.b/NOA