Durrës, 6 shkurt, NOA - Gjatë një bashkëbisedimi në Durrës me gazetarët, të zhvilluar për herë të dytë brenda pak ditësh në këtë lloj formati, kryesocialisti Rama ka dhënë detaje mbi vazhdimësinë e aksionit politik të opozitës që ai drejton.
"Format e bojkotit të zhvilluara gjatë gjithë këtij harku kohor, janë forma që mbeten për t'u trajtuar dhe përmirësuar në qëllim të arritjes së objektit tonë", mësohet të jetë shprehur ai në hyrje të takimit.
Duke iu përgjigjur pyetjes se sa do zgjasë bojkoti pas takimit me presidentin, Rama tha se opozita vazhdon t'i mbetet konsekuente kërkesës së saj për hetimin e procesit të 28 qershorit.
"Ishte pala tjetër që vendosi bojkotin tonë dhe nuk i përmbushi kërkesat tona. Jemi për dialog dhe për zgjidhje që vjen nga rruga e hetimit, pasi kjo e fundit garanton cilësinë e zgjedhjeve në të ardhmen dhe i jep fund historisë së zgjedhjeve të kontestuara prej vitesh", tha konkretisht ai.
Ndërsa lidhur me tryezën e presidentit, ai tha se "PS është e gatshme të ulet në tryezë dhe të kërkojë brenda saj zgjidhjen në funksion të transparencës së zgjedhjeve, e cila nuk është e mundur pa hapjen e kutive".
Kjo sipas tij, nuk është një kërkesë personale e PS, por një e drejtë e saj, të cilën ai tha se duhet vendosur me konsensus.
"Ne nuk shkojmë në tryezë për të zhvilluar një betejë gladiatorësh, ku njëri duhet të triumfojë dhe tjetri të kryqëzohet, por për të tentuar mirëkuptimin për hapjen e kutive, një e drejtë që u takon të gjithëve", përfundoi Rama lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA