Moskë, 6 shkurt, NOA - Ministria e Jashtme ruse ka shprehur shqetësimin lidhur me instalimin e afërt në Rumani të elementeve të sistemit të ri amerikan anti-raketë.
"Kjo është një çështje serioze që do ta analizojmë me seriozitet. Sigurisht, ky akt shkakton shqetësim. Kemi nevojë për sqarime. Do ta ngremë këtë çështje në kontaktet me partnerët amerikanë dhe evropianë", bëri të ditur ky dikaster në një komunikatë për shtyp.
Nga ana e saj, pasi Rumania pranoi vendosjen në territorin e saj të sistemit të rikonfiguruar mbrojtës nga raketat amerikane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar siguri se ky sistemi i ri antiraketor nuk është kundër Rusisë, por kundër atij që e kanë cilësuar si një "kërcënim potencial që mbërrin nga Irani".
Por vetë Moska zyrtare e kishte kundërshtuar planin e Shteteve të Bashkuara kohë më parë për vendosjen e kapaciteteve mbrojtëse raketore në Poloni dhe Çeki dhe Uashingtoni ishte tërhequr më pas nga ky plan.
Ndërkohë që plani i mëparshëm amerikan kishte për synim mbrojtjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara nga kërcënimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Irani, versioni i rishikuar do të mbrojë aleatët e Shteteve të Bashkuara nga raketat me rreze të shkurtër dhe rreze të mesme veprimi që Irani mund t'i ketë dislokuar ose është shumë afër dislokimit të tyre.
n.e/NOA