Kastel Volturno, 6 shkurt, NOA / Nga Emma Vallis - Kastel Volturno, një qytezë në rajonin e Kampanias në Itali prej vitesh është kthyer në një qendër për emigrantët e ligjshëm dhe të paligjshëm nga Afrika.
Kohët e fundit ministri i Brendshëm Roberto Maroni, bëri thirrje për krijimin e një grupi pune për të gjetur rrugët që duhen ndjekur për të mos lejuar që situata e emigracionit të paligjshëm dhe e krimit të organizuar të degjenerojë në dhunë, siç ndodhi në qytetin Rosarno të Kalabrisë në fillim të janarit.
Banorët për emigrantët
Çdo mëngjes, me të aguar, mijëra emigrantë qëndrojnë në të dy anët e kësaj rruge bregdetare që të çon në Napoli, La Via Domitiana, me shpresën që dikush do t'i marrë për punë.
Kamionë, autobusë apo makina të tjera ndalojnë për t'i marrë ata, kryesisht si krahë pune në bujqësi, për të vjelë portokallet, mollët apo limonat.
Emigrantët më me fat punojnë 10-15 orë në ditë për 25-35 euro, ndërsa më të pafatët presin buzë rrugës deri në mesditë dhe më pas iu hipin biçikletave për t'u kthyer.
At Filippo është një prift katolik që punon rregullisht me emigrantët në Kastel Volturno.
"Dëgjon histori nga më të ndryshmet. Në shumë raste pronarët që i marrin emigrantët të punojnë për një ditë, iu thonë se do t'i marrin edhe të nesërmen dhe do t'i paguajnë për të dyja ditët, por shpesh të nesërmen ata nuk i merr më njeri në punë dhe mbeten pa u paguar", thotë At Filipo.
Askush nuk e di me saktësi se sa emigrantë të paligjshëm jetojnë këtu, sepse ata nuk janë të regjistruar.
Megjithatë vlerësohet se mund të ketë deri në 15 mijë emigrantë në një qytezë që gjithsej ka 22 mijë banorë.
Emigrantët joshen nga perspektiva e gjetjes së ndonjë pune, një territor që kontrollohet nga Kamorra, varianti napolitan i mafias.
"Emigracioni nuk është problemi parësor i Kastel Volturnos. Problemi më i mprehtë i Kastel Volturnos është Kamorra, ky sitem i paligjshëm," thotë at Filipo.
"Nëse je këtu dhe nuk ke dokumentet e duhura, nëpërmjet Kamorrës mund të mbijetosh. Shteti këtu është absolutisht i padukshëm," shton prifti.
Teksa udhëton me makinë përmes Kastel Volturnos, kudo sheh pamje që tregojnë degradim dhe varfëri.
Në rrugë sheh ose patrulla ushtarake italiane, oficerë policie që kanë ngritur pika kontrolli, dhe shumë emigrantë afrikanë.
Sheh shumë pak banorë italianë. Ndalesa e rradhës është pjesa veriore e qytezës që tashmë njihet si Qyteti afrikan.
Njëri prej emigrantëve këtu është Ivani, nga Gana.
Mashtrime me pagat
"Për punën e fundit që bëra, padroni nuk m'i dha paratë. Unë shkova që t'ia kërkojë paratë, por ai më kërcënoi se nëse nuk ikja menjëherë, do të më vriste, kështu që unë ika pa u paguar", thotë Ivani duke folur për BBC.
Edhe disa nga bashkëkombasit e tij nga Gana kishin histori të ngjashme. Njëri prej tyre, Danny e shpreh hapur zemërimin.
"Na thanë se jeni nga BBC-ja. Shpresoj që prej jush e gjithë bota të dëgjoj këtë gjë. Ne këtu nuk kemi asgjë. Unë nuk kam asnjë dokument. Nuk kam se ku të shkoj. Në shtëpi kam lënë gruan dhe dy fëmijë, por në tre muaj nuk i kam dërguar dot as 10 euro për të ngrënë," thotë Danny.
Mes emigrantëve nga Gana është edhe Simoni që erdhi në Kastel Volturno nga Rozarno e Kalabrisë, pas akteve të dhunës që shoqëruan protestën e emigrantëve që punonin në bujqësi në fillim të janarit.
"këtu nuk është e lehtë. Një prej vëllezërve tanë po ecte buzë rrugës një ditë,kur dikush me makinë e qëlloi me armë. Vëllezërit tanë që u vranë në Rosarno, po askush nuk flet për këtë, ata thonë se ne po I prishim gjërat e tyre," thotë Simoni.
Task Force për emigrantët
Politikani italian i vijës së ashpër, ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, ka premtuar të krijojë një forcë speciale për të parandaluar që rajoni i Napolit të vuajë të njëjtin fat si Kalabria.
Komisioneri i policisë, Guido Nicolo Longo do të jetë pjesë e kësaj njësie speciale.
"Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të punojmë shumë me institucionet e tjera për të gjetur se kush është emigrant ilegal dhe t'u japim dokumentat në mënyrë që ata të punojnë legalisht. Në këtë mënyrë ne godasim Kamorrën që mendojmë se është rrënja e këtij problemi këtu."
Marrja e dokumentave në Itali merr kohë. Këshilltari rajonal për emigracionin, Lili De Felice thotë se ky është problemi më i madh për qytetin.
"Ne kemi investuar 18 milionë euro për shërbime për emigrantët dhe shumica e tyre nuk mund t'i përdorin, për shkak të statusit të tyre si emigrantë të paligjshëm. Problemet me rendin janë shumë të vështira në Italinë Jugore, por ato ishin të tilla edhe kur nuk kishte emigracion. Kamorra zakonisht përdor ata njerëz që janë shumë të dobët."
"Kur në Italinë jugore nuk kishte emigrantë ata punonin me njerëzit e varfër. Tani emigrantët kanë zënë vendin e të varfërve. Unë e di shumë mirë se çfarë kërkon të krijojë Maroni në Kampania, - një qendër identifikimi dhe përzënieje," thotë De Felice.
Emigrantët në Kastel Volturno ndjehen të zemëruar dhe të braktisur, ata mezi flasin italisht dhe nuk dinë se si të sigurojnë akses në shërbimet që autoritetet janë duke u përpjekur të ngrenë.