Vicenza, 6 Shkurt NOA - Dënimin me burgim të përjetshëm ka marrë Bledar Sallufi nga Peqini për vrasjen rreth dy vjet e gjysmë më parë të të riut Benard Kozarja nga Elbasani kurse dënime deri në 26.5 vjet burgim kanë marrë katër anëtarët e tjerë të grupit kriminal që i mori jetën emigrantit shqiptar.
Elton Xhoxhi 26 vjeç nga Elbasani u dënua me 26 vjet e gjysmë burgim, Erion Gjahtari 22-vjeçar nga Vlora me 25.5 vjet burg, Lejdi Shalari nga Vlora me 20 vjet dhe Juljan Çela 26 vjeç nga Lushnja me 18 vjet heqje lirie.
Ndërkaq janë dënuar me nga një vit burgim dhe tre shqiptarë të tjerë të cilët akuzuan se kanë ndihmuar vrasësit të largohen pas ekzekutimit.
Ata janë 28-vjeçarët Sajmir dhe Julis Gripshi të dy nga Peqini dhe 25-vjeçari Albjon Hasanaj.
Ngjarja që i mor jetën Benard Kozares ndodhi më 12 Tetor 2007 në provincën e Vicensas Rettorgole kur pesë personat e mësipërm hapën zjarr duke ekzekutuar me dy plumba emigrantin elbasanas.
Në fakt, vendimi për Sallufin dhe të tjerët ishte marrë një vit e gjysmë më parë kurse mbrëmë nga Gjykata e Vicenzës ka përfunduar procesi dhe janë konfirmuar kështu dënimet për të tetë shqiptarët e akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Kozares.
Gjykatësi Massimo Gerace dhe 10 anëtarët e tjerë të jurisë gjyqësore kanë vendosur përfundimisht dënimin e këtyre personave të cilët u akuzuan se janë përfshirë në masakër, në bashkëpunim me Bledar Sallufin i cili tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Djali 26-vjeçar nga Elbasani Benard Kozarja kishte tetë vite që jetonte në Vicenza të Italisë konform rregullave dhe ligjeve italiane.
Ngjarja e ndodhur në 12 Tetor 2007 në Vicenza vuri në lëvizje të gjithë policinë e kësaj zone e cila pak minuta pas ngjarjes mundi të identifikojë autorët madje njërin prej tyre arriti ta plagosë.
Tashmë që mbi çështjen e vrasjes së Benard Kozares gjithcka është zbardhur e vetmja gjë që duket se shqetëson ende policinë italiane është çështja e arrestimit të Bledar Sallufit i cili dhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm në shtetin italian ende nuk po arrestohet nga policia Shqiptare.
Mediat italiane shprehen se zyrtarë të policisë së Vicenzas kanë informacione të sakta se vendndodhja e personit më të kërkuar në zonën e Venetos jeton dhe strehohet në Shqipëri.
r.b/NOA