English

Copat e pasionit politik

"Zgjedhjet lokale që u zhvilluan tani së fundi treguan edhe njëherë se sa të dobëta janë institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, dhe gjithashtu se sa larg rrënjëve të demokracisë janë proceset që ka para vetes Kosova si shtet në rrugëtimin e saj"

Gjon Keka*

Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve që kanë rrethuar dhe që ende po e përcjellin ecjen e shtetit më të ri në botë, pra shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Ngjarje këto që sa kanë elemente pozitive aq edhe negative, sepse shoshitja e problemeve dhe proceset që po ecin si valë me pengesa të herëpashershme në rrugëtimin e këtij shteti drejt qëllimit të tij na bëjnë që të jemi jo edhe aq besues se kjo elitë politike që po e menaxhon dhe po e mbanë telekomandën e fatit të këtij populli janë njerëz besnik, të besueshëm dhe me vizion për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të mirë të Kosovës drejt proceseve të saj të forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në familjen europiane.

Neve mund të flasim me ditë të tëra se gjërat janë duke lëvizur dhe se Kosova po ecën sigurt, por realiteti brenda qenies së këtij populli tregon të kundërtën, se Kosova është shndërruar në një livadh të të gjithëve dhe të askujt, ku secili mund të korrë dhe të mbledhë që të dojë dhe sa të dojë. Ndërsa është pikërisht populli ai që po katandiset si mos më keq, është pikërisht populli ai që ka mbetur me gishta në gojë (nga premtimet me thes të "politikanëve') dhe nuk ka arritur që ta shoh akoma lirinë e plotë të tij dhe mirëqenien e përgjithshme, pastaj është pikërisht qytetari ai që po vuan nga vjedhësit e shtëpisë së tyre duke mos bërë asnjë hap drejtë plotësimit të kushteve të qytetarëve, zhvillimit ekonomik, shtetit juridik trazimit të rrugës drejt proceseve të integrimit në familjen europiane etj etj.

Ndërkaq duhet nënvizuar se zgjedhjet lokale që u zhvilluan tani së fundi treguan edhe njëherë se sa të dobëta janë institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, dhe gjithashtu se sa larg rrënjëve të demokracisë janë proceset që ka para vetes Kosova si shtet në rrugëtimin e saj. Gjëja më neveritëse ishte kur mospajtimet politike ndërmjet partive në koalicion LDK-PDK shkaktuan trazim dhe humbje të besimit edhe më shumë të qytetarëve të saj duke ditur se ky rivalitet dhe kjo luftë e madhe për karrige pushtetesh bëri që faqja e tërë sistemit politik, pastaj demokracisë së brishtë dhe të pathemelt të dal sheshit.

Këto zgjedhje shpalosën faqen e rivaliteteve dhe defekteve të personaliteteve politike të paformuar mirë dhe të paafta për të qenë lidership dhe për të mbajtur telekomandën e shtetit, pastaj ato të partive politike. liderëve politik dhe institucional. Por kishte gjithashtu edhe një mungesë të theksuar të konsensusit të gjerë, pastaj ishin zgjedhje jo edhe aq të lira dhe demokratike e aspak të ndershme siç trumbetohej andejpari se gjoja standardet u përmbushen dhe gjithçka eci në rregull, duke harruar copat e pasioneve kafshore politike dhe defektet rrugëve të procesit zgjedhor. Për të argumentuar këto se a ishin zgjedhjet në Kosovë vërtetë demokratike dhe të ndershme do nënvizoj një përkufizim të mençur të politologes dhe ish ambasadores së SHBA në Kombet e Bashkuara Jeane Kirkpatrick se "zgjedhjet demokratike nuk janë vetëm simbolike... ato janë kompetitive, periodike, gjithëpërfshirëse... nga shtetas që gëzojnë liri të gjerë për të kritikuar qeverinë, për të shpalosur kritikat e tyre dhe për të paraqitur alternativa".

Prandaj në mënyrë që zgjedhjet të jenë demokratike, të ndershëm dhe konkurrues, duhet që të gjithë të gëzojnë të drejtat e lirisë së shprehjes, grumbullimit, dhe lëvizjes si e nevojshme për të shprehur kritikat e tyre të hapur dhe kështu për të sjellë politika alternative dhe të dobishme ndërtimin e institucioneve demokratike dhe qeverisjes së vendit. Në shtetet ku këto liri nuk janë dhënë ose kur politikanët në mesë rivaliteteve të tyre janë ngacmuar dhe ndërprerë, në veprimtarin e tyre politike dhe zgjedhore, zgjedhjet nuk mund të pasqyrojnë pikëpamjet legjitime të vendit.

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës nuk do duhej të jetë një shembull i keq i një shteti me demokraci të brishtë ku aplikon në jetën e saj politike -institucionale dhe në rrjedhat e historisë së sistemit politik të saj dhunën politike apo zgjedhje të padrejta dhe jo të ndershme, ku për të ndaluar këtë dukuri dhe defekte janë dërguar edhe përfaqësues ndërkombëtar, pastaj janë mbrojtur nga forcat policore qendrat e votimit për të garantuar ndershmërinë e zgjedhjeve në përgjithësi. Në këto zgjedhje është vërejtur edhe një element i zhgënjimit të thellë si dhe i dekoncentrimit total të qytetarit dhe vullnetit të tij për të hedhur kokrrën e votës si e drejt demokratike, sa që qytetarët të lodhur nga „politikanët dhe partitë politike" pastaj nga „premtimet e tyre iluzioniste" e kanë shfrytëzuar të drejtën demokratike vetëm sa për të hequr qafe pjesën e tyre dhe të së drejtës së tyre demokratike, e jo për të shfrytëzuar vullnetin dhe të drejtën e tyre legjitime në mënyrë të lirë dhe demokratike. Gjithashtu gjatë zgjedhjeve të mëparshme kur edhe doli fituese PDK e cila që nga themelimi si saj ishte në opozitë, pastaj lidhjes së koalicionit me LDK dhe shpalljes së pavarësisë si dhe gjatë këtyre zgjedhjeve së fundmi lokale vërejmë se ishin tri arsye që kanë bërë që LDK të bie nga lista e parë e renditjes së fitueseve të partive politike ne Kosovë; e para është vdekja e presidentit dhe vizionarit të madh të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, e dyta ishte lufta për karrige në mes të Sejdiut dhe Dacit dhe e treta koalicioni LDK -PDK, koalicion ky i panatyrshëm në thelb.

Dhe krejt në fund siç mësojmë nga historia e shteteve ka pasur raste të shumta që demokracia ka dështuar që nga demokracia antike e deri më sot, kjo ka ndodhë për shkak të mos futjes së rrënjëve në thellësi të qenies së popullit dhe institucioneve shtetërore, keqkuptimit të demokracisë, për shkak të mungesës së traditës, përvojës dhe kulturës së brendshëm politike dhe institucionale, moszhvillimit ekonomik, mungesë së shtetit juridik, e deri të ajo sa që liderët politik të shteteve i kanë shfrytëzuar shkallët e demokracisë për t'u ngjitur në skelën e diktaturës, autoritarizmit, statizmit, totalitarizmit e nganjëherë edhe te kolapsi total i shteteve të dobëta dhe me demokraci të brishtë.

Ndërsa defekte tjera që kanë quar shtetet gjatë historisë në shembjen e qeverisjes demokratike dhe shtetit ligjor është edhe ajo e bosizmit të politikanëve duke i shndërruar institucionet demokratike në institucione korruptive, të krimit të organizuar gjë që kanë shkatërruar pothuajse në tërësi proceset demokratike. Sidoqoftë duke u nisur nga kjo mund të themi se në Kosovë duhet të bëhet një ndërrim i qasjes në tërësi të qeverisjes, të bëhen reforma të thella, sepse nëse institucionet dhe qeverisja e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës mbeten të pareformuar, që në themel atëherë nuk ka ndodhur asgjë, ka mbetur e njëjta gjendje ndoshta edhe më e rëndë së që qe më parë.

Duhet ditur gjithashtu "lidershipi" i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës se nuk do mund të bëhet pjesë e bashkimit europian pa i hequr qafe problemet e brendshme me një fjalë pa e pastruar llumin e brendshëm, siç janë; korrupsioni, krimi i organizuar, forcimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, largimi i organizatave të dyshimta terroriste dhe njerëzve të infiltruar brenda etj etj.

Gjithashtu duhet të kalohet pragu i mosbindjes së „lidershipit" të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës ndaj vullnetit të popullit si dhe vullnetit politik për ndryshime rrënjësore apo edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nacionale, sepse vetëm në këtë mënyrë demokracia do të kanalizonte rrjedhën e saj në proceset në vijim të Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik dhe ligjor të zhvilluar ekonomikisht në mënyrë të fuqishme si dhe të rrugëtimit shtetit të mbikëqyrur të Kosovës drejt proceseve të integrimeve euroatlantike.

(*) Dërguar nga autori, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, qëndrimet e shprehura janë personale

KOMENTE