Gjirokastër, 7 Shkurt NOA - Reshjet e dëborës, të zakonshme për stinën në rajonin verior të vendit, kanë pushtuar edhe rrethet jugore duke shkaktuar madje bllokim të pjesshëm rrugësh, veçanërisht në akse rurale ku policia raporton dhe për rrezik ndaj udhëtarëve nga rrëshkitje dherash.
Në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e motit të keq Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës tha sot se në Komunën Frashër në rrethin e Përmetit, situata paraqitet më e rënduar pasi trashësia e dëborës ka kaluar mbi 60 centimetra.
"Rruga rurale nga qytetit i Përmetit deri në vendin e quajtur zona e Bredhit, 15 kilometra pa vajtur në qendër të komunës Frashër është e hapur", - i thanë agjencisë NOA, burimet zyrtare policore.
Ata saktësuan se "nga ky vend e deri në qendër të komunës Frashër rruga është e bllokuar, pasi dëbora ka arritur rreth 70 centimetra".
Në rrethin e Tepelenës nuk janë konstatuar zona të bllokuara apo akse rrugore, të gjitha komunat janë të hapura, po kështu edhe akset rrugore nacionale dhe rurale.
Por në vendin e quajtur "Shkalla e Zezë", në aksin rrugor Gjirokastër - Tepelenë, si pasojë e rrezikshmërisë që paraqet ky segment rrugor nga rrëshkitjet e dheut, është vendosur një fadromë e Drejtorisë së Rruga - Urës e cila po qëndron 24 orë, kurse në çdo moment kryen shërbim një patrullë e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Në rrethin e Gjirokastrës, policia raporton se nuk është shkaktuar asnjë problem si pasojë e motit të keq.
"Të gjitha rrugët që të çojnë në komunat e këtij rrethi janë të hapura, po kështu edhe akset rrugore Gjirokastër - Sarandë dhe Gjirokastër -Tepelenë janë të kalueshme pa probleme", - konfirmon policia.
Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat e qarkut duke marrë kontakt me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për t'u ardhur në ndihmë banorëve dhe drejtuesve të automjeteve për problemet që mund të hasin në rast përkeqësimi të motit.
"Po kontaktojmë me drejtuesit e ndërmarrjeve Rruga Ura, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet me qëllim koordinimin e veprimeve për t'i paraprirë ndonjë situate të papritur si pasojë e motit", - thanë zyrtarët vendorë të policisë.
d.xh/NOA