Devoll, 7 Shkurt NOA - Një 66-vjeçar i dyshuar se ndihmoi në arratinë e Besim Karajt që u akuzua për vrasjen e trefishtë të Vidohovës pak ditë më parë, u gjet i vdekur sot në banesën e tij dhe policia tha se po heton pistën e vetëflijimit.
Ismet Musabeu, 66 vjeç, lindur e banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit në banesën e tij, bën të ditur korrespondentja e agjencisë NOA.
Policia e cila kreu hetimet paraprake lidhur me ngjarjen, tha se dyshon për një vetëvrasje. I ndjeri u gjet me një litar të lidhur lak në fyt me të cilin edhe kishte gjetur vdekjen.
Policia bën të ditur se burri në moshë të thyer, para pak ditësh ishte nën hetim për dyshimet se ndihmoi në arratinë e të kërkuarit Besim Karaj i cili rezultoi sikundër dhe pranoi, autori i masakrës së Vidohovës ku u vranë tre vëllezërit Mulliri, për motive xhelozie.
Sipas hetimeve policore, Musabeu kishte ndihmuar Karajn duke i dhënë strehim provizor dhe ushqim gjatë ditëve që ai u shpall person në kërkim.
Gjithsesi, policia tha se po heton vetëvarjen duke u shprehur e rezervuar të sqarojë nëse ajo lidhet me hetimin që i ishte nënshtruar i ndjeri këto ditë për shkak të ndihmës së dhënë ndaj Karajt.
e.r/NOA