English

Imami: Reduktimi i trupave në Kosovë, në përputhje me rritjen e sigurisë

Tiranë, 7 Shkurt NOA - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, konfirmon kërkesën e Shqipërisë në Stamboll që reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë të bëhet, por në përputhje me rritjen e sigurisë në shtetin më të ri në botë.

"Kosova tani ka stabilitet si nga ana politike, ashtu edhe sa i përket krimit dhe trafiqeve, por ka një problem sigurie në veri e që sponsorizohet nga Beogradi, gjë që shkon thelbësisht kundër të gjitha përpjekjeve të NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar për stabilitet në Kosovë", - deklaroi sot Imami, ka theksuar në një intervistë

me Deutsche Wellen.

Natyrisht, - shtoi ai, - që me ndryshimin e kushteve do të ketë edhe një zbritje të trupave të NATO-s atje, por ne kërkuam në Stamboll që ajo të jetë proporcionalisht me rritjen e sigurisë, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës.

Imami ishte këto ditë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Stamboll, ku ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori pjesë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Gjatë zhvillimit të takimit u diskutuan tri çështje të rëndësishme: Buxheti i NATO-s; Kosova dhe Afganistani.

Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës u ndalën në angazhimin e NATO-s në Kosovë, veprimet e ndërmarra deri në muajt e fundit, si dhe përshëndetën arritjet e shënuara nga strukturat e KFOR-it gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu ministrat riafirmuan angazhimin e Aleancës për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj për një mjedis të sigurt në Kosovë. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, u shpreh pas takimit në këtë ministerial, se atje u shfaq qëndrimi i vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i konsideruar si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele në Kosovë.

"Lidhur me Kosovën, u shpreh Ministri Imami, vlerësimi ynë është që stabiliteti politik është i qartë, progresi është i dallueshëm", tha Imami duke theksuar se "NATO dhe Kosova mund të quhen një histori suksesi".

Por Ministri Imami theksoi se në veri të Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm edhe në këtë takim të NATO-s.

Për ne, ka vijuar më tej z. Imami, është e rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon.

e.r/NOA

KOMENTE