English

Konfindustria: Prodhimi vendas goditet ashpër, importi po favorizohet padrejtësisht

Tiranë, 7 Shkurt, NOA/Rajmonda Lajthia - Konfindustria, bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industrialë të vendit, vëren me shqetësim se sistemi i referencave doganore po godet ashpër prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë prodhimet e importit.

Pohimin e bëri të ditur sot Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustria. Ai tha se janë prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave, industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, etj.

Konfindustria prej disa muajsh i ka i kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të ndërhyrë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zërit "prodhim i gatshëm" të importit, shume prej te cilave janë mjaft më të ulëta sesa vlerat e tregut ndërkombëtar.

Por Buxhuku vëren se deri më sot nuk ka veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes.

"Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese, kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gush-shtator 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, që kemi rritje të konsiderueshme të referencave doganore të lëndëve të para të importit, për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip çmimet kanë mbetur pa ndryshuar duke qenë në nivele ndjeshëm të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare", - deklaroi Buxhuku.

Ai evidentoi edhe se bazuar në të dhënat zyrtare ende pothuaj 30 për qind e zhdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas referencave të paravendosura.

"Zbatimi i sistemit të referencave doganore krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet doganore, që shfaqen në konflikt të qartë interesi si vendimmarrës dhe njëkohësisht zbatues, të çmimeve të referencave", - vuri në dukje z.Buxhuku.

r.l/e./NOA

KOMENTE