English

Legaliteti: Debati për hapjen e kutive, rreziqet që po i sjell qytetarëve

Tiranë, 7 shkurt NOA - Partia "Lëvizja e Legalitetit" vëren me shqetësim se debati për hapjen apo mos hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, po përkeqësohet në një konflikt politik.

Madje Legaliteti thekson se ky konflikt rrezikon shmangien nga thelbi i problemit, mënjanimin nga debati politik i shumë çështjeve te tjera, apo përshkallëzimin e situatës në skenarë të zymtë.

Besnik Murati, nënkryetar i PLL tha sot në një dalje para mediave se kjo parti i përmbahet pikëpamjes se "çështja e kutive" është vetëm maja e ajsbergut e zgjedhjeve të 28 qershorit,

që u projektuan për të qenë të tilla nga një marrëveshje mes dy partive, të cilat duke u kujdesur vetëm për interesat e veta, hartuan e vendosën në Kodin Zgjedhor kritere kufizuese dhe diskriminuese për partitë e tjera duke cenuan rëndë pluralizmin në vend, pasojat e te cilit po shihen sot.

"Në këtë kuptim, çdo bisedim apo hetim për zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon në radhë të parë një reflektim dhe njohje përgjegjësie për deformimet e shkaktuara në përfaqësimin politik nga shkaku i Kodit Zgjedhor dhe lëshimeve që ju bënë opozitës së majtë për zgjedhjen e sistemit elektoral, hartimin dhe miratimin e Kodit Zgjedhor si dhe administrimin e procesit", - tha Murati.

Ai evidentoi më pas se "Partia Socialiste, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit kishte një "ushtri" me komisionerë, numërues dhe vëzhgues, para se të kërkojë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votove, duhet të shprehë opinionin e saj për votat e të gjithë atyre partive që nuk kishin asnjë akses në procesin e votimit apo numërimit".

Për më tepër, - vijoi Murati, PS nuk ka dhënë asnjë propozim konkret për përmirësimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor për të caktuar rregulla të ndershme loje.

Duke qenë mbështetëse e çdo diskutimi dhe negocimi konstruktiv, Partia "Lëvizja e Legalitetit" ndjehet skeptike për çdo diskutim nën presion dhe çdo zgjidhjeje të cunguar që ky diskutim mund të prodhojë.

"Partia "Lëvizja e Legalitetit" vlerëson pozicionin delikat të Presidentit të Republikës në këtë çështje dhe duke e inkurajuar atë në ushtrimin e paanshëm të detyrës, thekson se çdo marrëveshje dhe zgjidhje , do të jetë e padrejtë për aq kohë sa nuk do të merren për bazë interesat e partive të diskriminuara nga Kodi Zgjedhor", - përfundoi z.Murati.

d.xh/NOA

KOMENTE