English

Pasione, dashuri, tradhti dhe xhelozi më 14 shkurt

"Manon Lescaut", premiera e parë e sezonit në TKOB

Tiranë, 7 Shkurt NOA, Milena Selimi - "Manon Lescaut" është opera me katër akte, që vjen premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, që sjell për spektatorin shqiptar një ndër veprat më të mira të Xhakomo Puccinit.

Muzika e Puçinit do të risjellë më 14 shkurt trazimet e dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy dashnorëve.

Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre.

Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut.

Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de Grijë të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh, qejflinjsh dhe hedonistësh.

Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron dë Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës.

Në katër netët e shfaqjes do të interpretojnë sopranot: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga Armando Likaj.

Interpretues të tjerë janë: Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri.

Skenografia nga Genc Shkodrani, kostumet priten të vijnë edhe nga Italia. Regjisor i shfaqje është Nikolin Gurakuqi.

Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës. Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko.

"Manon Lescaut" shfaqet më 14, 16, 18 dhe 19 shkurt. Vepra e kompozitorit italian Xhakomo Puçini, "Manon Lescaut" (1731), është bazuar në novelën e Abatit Prévost, "Historia e kavalierit de Grijë dhe Manon Lesko".

Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në "Teatro Regio" të Turinës, më 1893.

m.s/r.b/NOA

KOMENTE