English

PD: Tryezat e Ramës me gazetarë, atentat ndaj lirisë së shtypit

Tiranë, 7 Shkurt NOA - Partia Demokratike e konsideroi sot turin në Tiranë dhe rrethe që ka nisur Edi Rama duke mbajtur disa gazetarë në tryezat-presidium, si një atentat të vërtetë ndaj lirisë së shtypit.

Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD doli në një deklaratë për mediat ku vuri në dukje se "ditët e fundit Edvin Kristaq Rama apo piktori që mburret se po nxin imazhin e vendit, në një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit na shfaqi modelin e shtypit të presidiumit".

Mëhilli tha se "përfaqësuesit e mediave që i kontrollon 24 orë në 24 i detyroi të zënë vend në presidium pranë tij në vend të eksponentëve të Partisë Socialiste apo aleatëve të tij, ndërsa mediat e tjera, në trajtimin e tij cinik i la në plate duke iu dhënë përgjigje me ngërdheshje të denja vetëm për armiqtë e fjalës së lirë".

Në këtë pikë, Mëhilli njoftoi se "Partia Demokratike, themeluese e lirisë së mediave në Shqipëri dënon këtë qëndrim të pashembullt të z.Rama të diskriminimit ekstrem të mediave".

PD gjithashtu u bën thirrje mediave të lira të mos pranojnë "kutizmin", për interesa të ngushta të një njeriu që mburret se po lyen me bojë të zezë imazhin e vendit të tij', - ishte thirrja e PD nëpërmjet Mëhillit.

Ajo lëshoi alarmin se "fjala e lirë, media e lirë merr fund në qoftë se pranon të mbyllet në sëndukët apo kutitë e Edvin Kristaq Ramës dhe pasardhësve të tjerë të bllokut".

r.b/NOA

KOMENTE