English

PDU: Ne, më afër zgjidhjes së çështjes çame se kurrë më parë

Kreu Shpëtim Idrizi prezanton objektivat për vitin 2010

Vlorë, 7 shkurt NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet prezantoi në qytetin e Vlorës planin e saj të punës për vitin 2010, ku vendosen piketat kryesore të organizimit të brendshëm të partisë dhe objektivat për këtë vit.

Gjatë takimit me drejtuesit e grupit nismëtarë të PDU-së në Vlorë, deputetët e Partisë Drejtësi dhe Unitet, kryetari Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri paraqitën objektivat kryesore të kësaj partie si në arenën e brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare, e sidomos të çështjes çame.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi vendosi theksin mbi nevojën e organizimit të strukturave solide, të partisë me qëllim çuarjen para të aspiratës të partisë me profesionalizëm.

Idrizi u parashtroi drejtuesve lokalë të PDU-së, në mënyrë të detajuar planin e punës me periudhë njëvjeçare, ku janë vendosur kushtet që duhet të arrijë partia, me qëllim që të mund të jetë në të ardhmen sa më afër objektivave të saj.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se çështja çame është më afër zgjidhjes së vet, dhe për këtë u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim origjine që të kontribuojnë aktivisht për këtë çështje.

"Çështja çame jo vetëm nuk mund të harrohet, por ajo e ka fituar luftën me kohën, dëshmitare e garant për këtë jemi ne 300 mije shqiptarët e Çamërisë", - tha Idrizi.

a.d/NOA

KOMENTE