English

Përtej dritares së ngushtë…

Fenomeni homoseksual na ka trembur, duke harruar kulturën tonë që çdo njeri i cili merr frymë gëzon të drejtat e frymëmarrjes së tij, gëzon angazhimin në jetën shoqërore apo në komunitetin ku bën pjesë

Nga Rajmonda Bulku Nuk është problem i dyerve të mbyllura, të bisedave kokë më kokë, apo pëshpërimave nëpër zë, kur bëhet fjalë mbi mbrojtjen e homoseksualëve. Në një shoqëri ku mungon sensi qytetar i këtij debati, opinioni duhet të jetë i hapur dhe të respektojë të drejtat e çdokujt, që pavarësisht nga deviacionet natyrale, ka të drejtë të jetë i integruar në çdo veprimtari shoqërore, pa asnjë lloj paragjykimi apo diskriminimi. Ligji kundër diskriminimit është një ligj i rëndësishëm i vendeve të zhvilluara kudo në botë. Ai rregullon të drejtat e çdo individi, që i përket një komuniteti të caktuar njerëzish, pavarësisht nga prirjet e tyre. Në historinë e popullit tonë, kanë pasur ekzistencën e tyre diskriminime si në gjini, në ngjyrë, racë, moshë, bindje fetare, status familjar apo martesor, status shëndetësor, gjendje të paaftësisë, etj., gjë që ka përbërë ngërçin për krijimin e një shoqërie të hapur, ku përbashkësia e tyre të jetë drejt zhvillimit modern. Është koha që të thyejmë heshtjen tonë, është koha që të themi se janë të papranueshme diskriminimet që cenojnë statusin e çdo njeriu për ta jetuar jetën sikurse do të dëshironte, sepse askush s'është i ndarë nga të drejtat e çdo njeriu… Në mediat e shkruara apo vizive, herë pas here jepen mendime të ndryshme rreth mbrojtjes së homoseksualëve. Hapen debate të guximshme dhe mbyllen përsëri. Ka njerëz që diskutojnë dhe japin mendime të vlefshme mbi miratimin e një ligji për përkrahjen e tyre, sikurse ka njerëz të tjerë që nuk i pranojnë, apo skeptikë që rrinë të heshtur në opinionet e tyre. Kategoritë janë të ndara dhe ndonëse të pajtueshëm, të papajtueshëm apo skeptikë, prania e homoseksualëve është prezente në hallka të jetës shoqërore ku kontributet e tyre intelektuale kanë qenë dhe mbeten të çmuara. Kemi lexuar, dëgjuar apo parë, se kudo në botë njerëz me prirje të tilla kanë dhënë shumë në politikë, shkencë, filozofi, në art dhe kulturë, në sport e në çdo veprimtari shoqërore. Askush nuk është diskriminuar, sepse në një shoqëri ku emancipimi njerëzor ka bërë histori, duke thyer tabu, hamendësira, opinione keqdashëse, komente të pavlera, i kanë pranuar pa njohur apo shprehur hezitim. Jo vetëm kaq. Ata i gjen kudo, bëjnë jetën e tyre, jetojnë lidhjen mes tyre, pa njohur cenim apo mosbarazim, qoftë në ambientet e punës, apo në jetët e tyre private apo shoqërore. Ligji i marrëdhënieve mes tyre u ka dhënë garanci dhe trajtim me një domethënie të madhe, që liria dhe të drejtat e njeriut nuk njohin veçime, por vëmendje ligjore, çka domethënë: ekzistenca e çdo njeriu, gëzon të njëjtën barazi sikurse tjetri. Integrimi i tyre nuk ka përbërë lajm apo çudi, asgjë nga këto, përkundrazi është folur mbi sukseset e tyre, mbi arritjet dhe vizionet që kanë shprehur dhe që ia kanë arritur, me shumë modesti. Sot më shumë se kurrë, çdokush duhet të mbrojë veten e tij, të japë diçka nga vetja e tij, të jetë pjesë aktive në shoqëri, se vetëm kështu shoqëria ecën përpara, në kërkim të standardeve të reja, duke respektuar të drejtat dhe jetën e tjetrit, pa komentuar prirjet, apo tendencat jetësore që nuk janë në përputhje me mendimin e tij. Përballja me veten tonë na bën më të arsyeshëm për të respektuar më shumë të tjerët që janë disi ndryshe nga ne. Miratimi i një ligji mbi njohjen e homoseksualëve ishte një domosdoshmëri se jo vetëm i merr në mbrojtje, por më gjerë, i bën të ndihen si gjithë të tjerët, pa pasur frikën e diskriminimit, të ndrojtjes, apo përballjen me njeriun cinik, të paarsyeshëm, apo mosrespektues. Është e vërtetë dhe duhet shprehur që njerëz me prirje të tilla i kemi parë me syrin e keq, apo u kemi qëndruar larg, duke cenuar disi edukatën tonë qytetare. Përse? Sepse fenomeni homoseksual na ka trembur, duke harruar kulturën tonë që çdo njeri i cili merr frymë gëzon të drejtat e frymëmarrjes së tij, gëzon angazhimin në jetën shoqërore apo në komunitetin ku bën pjesë. Nuk ka alternativë, përveç marrjes në mbrojtje të lirive dhe prirjeve të tyre. E thënë saktësisht, stop dhunës psikologjike ndaj tyre, se kjo gjë jo vetëm do u bënte keq, por do të lëndonte çdokënd që do të ndihej i mënjanuar apo i përjashtuar nga ambientet shoqërore, jo vetëm do të cenonte apo kufizonte lirinë, por do të përndiqej keq apo do të shihej, si një njeri i ardhur nga një planet tjetër. Sot nuk është koha e bisedave kokë për kokë, e mëdyshjeve për të dhënë një opinion për njerëz me prirje ndryshe nga ne, as koha për t'i parë nga një dritare e ngushtë, as koha për të qëndruar indiferentë apo apatikë ndaj një miratimi për mbrojtjen dhe përkrahjen e njerëzve me prirje ndryshe nga ne, por erdhi koha që diktoi edhe në vendin tonë ligjërimin e prirjeve të tyre, si një emancipim të madh të një shoqërie që kërkon të bashkojë hapat për standarde të larta socio-psikologjike. Vlerat njerëzore janë për këdo që e quan veten të vlefshëm për veten e tij, për familjen e tij, për shoqërinë ku jep kontributin. Vetëm duke respektuar vlerat njerëzore, duke i njohur dhe kultivuar këto vlera, kemi bërë një hap më shumë drejt Europës, jemi ballafaquar më shumë me standardet europiane, jemi në derën e hapur të saj, duke përkrahur edhe njerëz të tillë, që pavarësisht ligjeve të natyrës, dinë po aq mirë t'u përshtaten ligjeve të saj më së miri. Ne, duke reflektuar në mbrojtje të tyre, mbi të gjitha u kemi dhënë garanci se jeta vazhdon dhe dikton që ata janë mes nesh, me të gjitha të drejtat jetësore të tyre.

KOMENTE