English

PS: Meta po përsërit fjalët boshe të Berishës

"Kërkojmë dialog për zgjidhje ose do të vijojmë me protesta për zgjedhje"

Tiranë, 7 Shkurt NOA - "Ilir Meta vazhdon të përsërisë fjalët boshe të Sali Berishës ndërkohë që rezoluta që aq shpesh evokohet në këtë logjikë të çalë, pranon se Shqipëria është në krizë".

Kështu u shpreh sot në një dalje për mediat, deputetja e PS, Olta Xhaçka, ish-anëtare e Lëvizjes Mjaft.

Xhaçka tha se rezoluta kërkon dialog dhe akuzoi se Sali Berisha e Ilir Meta |"bëjnë diversion, duke na kthyer 13 vjet pas kur Sali Berisha refuzonte të pranonte dialogun, vullnetin e popullit e vullnetin e palëve".

Këtu Xhaçka vuri në dukje se "u desh detyrimisht të ndërhynin ndërkombëtarët për të vendosur rendin e munguar".

Deputetja më e re e PS, tha më tej se "sot kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për t'u integruar në Bashkimin Evropian, ne nuk mund të lejojmë më shembullin e politikës së vjetër së gënjeshtrës e të mashtrimit publik që duhet çrrënjosur nga jeta publike shqiptare, duke filluar me çrrënjosjen e korrupsionit elektoral përmes hapjes së kutive të gënjeshtrës dhe mashtrimit".

Në vijim të deklaratës për media, Xhaçka tha në emër të PS se kërkohet tryeza e Kryetarit të Shtetit, Presidentit të vendit, duke theksuar se "zvarritja e dialogut nga Sali Berisha nuk e ul dot ritmin e përgatitjeve tona për protestën e madhe të Frontit Opozitar, deri në largimin e qeverisë".

Kurse në përmbyllje, lëshoi paralajmërimin: "Kërkojmë dialog për zgjidhje ose do të vijojmë me protesta për zgjedhje".

e.r/NOA

KOMENTE