English

PS: Plagosja e këshilltarit në Vlorë, provë e krizës së rëndë politike

Në luftë me vdekjen këshilltari i PS, pas atentatit me C4

Tiranë, 7 Shkurt NOA - Partia Socialiste reagoi sot lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Vlorë ku si pasojë e një atentati me eksploziv plastik, mbeti i plagosur rëndë, 38-vjeçari Morand Hoxha, këshilltari i Partisë Socialiste në Bashkinë e Vlorës.

Në një deklaratë publike, deputetja e PS, Luiza Xhuvani tha se plagosja e këshilltarit nga një atentat që synonte t'i merrte jetën, është provë e krizës së rëndë politike.

"Ngjarja e mbrëmshme është një tjetër provë e krizës së rëndë politike që po kalon Shqipëria. Është një tregues i shkallës së lartë të konfliktualitetit politik, që shpeshherë, fatkeqësisht, përshkallëzohet edhe në akte të tilla dhune fizike, që rrezikojnë të marrin jetë njerëzish", - tha Xhuvani.

Si deputete e qarkut të Vlorës, por mbi të gjitha si nënë, - deklaroi Xhuvani, - i bëj thirrje Sali Berishës, të heqë dorë nga politika e përplasjes, nga politika e konfliktit".

"Berisha të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes, nga fjalori që nxit kundërvënie dhe që për pasojë, rezulton edhe në ngjarje të tilla, si ajo e mbrëmshmja, kur Morand Hoxha, fatmirësisht shpëtoi gjallë, por që në qytetin e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë la një shije të hidhur dhe përforcoi edhe më shumë ndjenjën e frikës dhe pasigurisë", - deklaroi Xhuvani duke akuzuar kështu direkt kryeministrin se atentati ndaj Hoxhës ishte pasojë e deklaratave të tij publike.

"Është e pafalshme për këtë qeveri, që ngjarje si ajo e mbrëmshmja, kanë filluar të bëhen gjithmonë e më të shpeshta, duke pushtuar gjithmonë e më shumë ekranet e familjeve shqiptare", - tha Xhuvani.

Por ajo çka është edhe më e rëndë, - theksoi deputetja e Vlorës, - është fakti se këto ngjarje, shpeshherë fatale, që prekin qytetarë të thjeshtë por edhe përfaqësues të opozitës, mbeten të pazbardhura dhe autorët e këtyre krimeve mbeten të padënuar, të lirë për të vazhduar aktivitetin e tyre kriminal.

e.r/NOA

Lexoni mbi ngjarjen: Në luftë me vdekjen këshilltari i PS, pas atentatit me C4

KOMENTE