English

Rusia kërkon një Jaltë të re

Një vit më parë nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, foli për një fillim të ri në marrëdhëniet SHBA-Rusi. Një vit më pas korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Brian Whitmore, raporton se si shihet nga Moska politika e re e Uashingtonit

Nga Brian Whitmore

Vladimir Putini e mbështeti presidentin Barak Obama kur ky i fundit tha se do të ndryshonte rrënjësisht planin e mbrojtjes raketore. Por, vetëm pak muaj më vonë, Putini e bëri Uashingtonin të mendohej kur iu kundërvu planit Obama. Në dhjetor, kryeministri rus tha se plani i ri i mbrojtjes raketore amerikane prish baraspeshën e fuqisë në Evropë. Ky episod është një tregues më shumë i ulje-ngritjeve në marrëdhëniet SHBA-Rusi gjatë vitit të fundit. Saktësisht, një vit më parë nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, tha në konferencën e sigurisë në Mynih, se ishte koha për një fillim të ri në raportet amerikano-ruso. Me gjithë disa ndryshime në tone dhe në atmosferën e raporteve mes dy vendeve, ende nuk ekziston shpirti i vërtetë i bashkëpunimit. Analistët thonë se pjesërisht kjo shkaktohet nga elita aktuale ruse, e në veçanti nga veteranët e shërbimeve sekrete që rrethojnë Putinin. Ata vazhdojnë t'i shohin Shtetet e Bashkuara si rivalë që nuk mund t'u besohet. "Problemi kryesor është dallimi i rëndësishëm në objektivat strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ka boshllëk në objektivat dhe ideologji, çfarë e bën bashkëpunimin jo të lehtë dhe të kufizuar", thotë për Radion Evropa e Lirë analisti në fushën e mbrojtjes, Pavel Felgenhauer. Fjodor Lukianov, kryeredaktor i revistës ruse me ndikim "Russia in Global Affairs" thotë se problemi është edhe më i thellë se kaq. "Ka një dëshirë të qartë për t'i përmirësuar marrëdhëniet, të cilat kishin arritur në një pikë të vdekur përpara se Obama të merrte detyrën. Por, çfarë duan Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nga njëra-tjetra në botën e sotme? Kjo nuk është e qartë", thotë Lukjanov. Pas propozimit të Obamës për një fillim të ri në marrëdhëniet me Rusinë, synimi ishte që të zhvendosej fokusi i Moskës nga çështje të vështira si zgjerimi i NATO-s, apo mbrojtja raketore dhe të diskutonin për çështje ku kishte përputhje interesash. Këtu futet kontrolli mbi armët e shkatërrimit në masë, lufta në Afganistan, apo pengimi i Iranit që të prodhojë armë bërthamore. Lukjanov thotë se pjesa dërrmuese e elitës ruse mendon se Uashingtoni kërkon shumë nga Rusia derisa vetë ofron shumë pak. "Ekziston një dëshirë nga ana e Shteteve të Bashkuara që të zgjidhin problemet e rëndësishme për ta dhe të fitojnë mbështetjen ruse për to. Deri tani, kjo qasje nuk ka funksionuar", thotë Lukjanov. Rusia kërkon që Shtetet e Bashkuara ta pranojnë se ish-hapësira sovjetike është zonë e ndikimit rus në arkitekturën e re të sigurisë evropiane. Administrata amerikane nuk ka pranuar ta bëjë një hap të tillë. Felgenhauer thotë se Rusia po përpiqet të përfitojë në hapësirën ish-sovjetike diçka të ngjashme siç mori në konferencën e Jaltës, në shkurtin e vitit 1945, kur Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit. "Një lloj marrëveshjeje e tillë, është parë si e mundur në Rusi, por kushtet janë të papranueshme për perëndimin. Rusia po mendon për një Jaltë të re që do t'i jepte kontrollin mbi Euroazinë", tha Felgenhauer. Njëherësh, elita ruse beson se Shtetet e Bashkuara janë dobësuar si pasojë e krizës ekonomike dhe përfshirjes në luftërat në Afganistan dhe në Irak. Rusia synon ta përdorë këtë situatë në favor të saj. Felgenhauer shpjegon: "Rusia e shikon Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara si armikun kryesor, politik, ideologjik, ekonomik dhe ushtarak. Kështu shihet nga Rusia, por jo dhe nga Perëndimi. Këto janë dallime shumë serioze që nuk mund të tejkalohen duke shtypur butona rifillimi". Situata mund të ndryshojë, por në Moskë po ndiqen nga afër raportet mes Shteteve të Bashkuara e Kinës. Obama edhe ndaj Kinës fillimisht zgjati dorën e bashkëpunimit, por, së fundi, deklaratat janë ashpërsuar. Lukjanov pohon se Moska po i ndjek me interes të veçantë zhvillimet në marrëdhëniet Uashington-Pekin. "Ka filluar një periudhë interesante, ku Shtetet e Bashkuara po përpiqen t'i demonstrojnë Kinës se Amerika mbetet vendi udhëheqës në botë. Rezultati i këtyre përpjekjeve do të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet ruso-amerikane", thotë Lukjanov për radion Evropa e Lirë.

KOMENTE