Si produkt përfundimtar do të jetë një përafrim i qëndrimeve mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ku palët do të lëshojnë në kushte
Menada Zaimi
Në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri peshën kryesore do ta marrë faktori ndërkombëtar, mendojnë analistët Alfred Peza dhe Ylli Rakipi. Peza thotë se, tryeza, me ndërmjetës kryetarin e shtetit kërkuar nga ndërkombëtarët, do t'i japë zgjidhje situatës, ndonëse rruga deri këtu do të jetë e vështirë. Sipas Pezës, deri në këto momente, dy paritë e mëdha po luftojnë për kredi politike se cila do të marrë meritën e nënshkrimit. "Zgjidhja ka filluar Ajo çfarë po ndodh pas kësaj, është që të dyja palët po mundohen të luajnë në dy plane, e para, në rrafshin virtual, qoftë për ndërkombëtarët, qoftë për opinionin publik, që ne jemi për zgjidhjen e krizës, por është kundërshtari ynë ai që nuk është për zgjidhjen". "Dhe, duke luajtur në këtë mënyrë, po mundohen të bëjnë maksimumin e presionit, për të marrë maksimumin në tavolinë. Gjykoj se duhen abuzuar palët politike, tashmë, sepse është futur në lojë fort edhe faktori ndërkombëtar. Çështja e krizës është drejt zgjidhjes, ose do të zgjidhet", thotë Peza. Si produkt përfundimtar do të jetë një përafrim i qëndrimeve mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ku palët do të lëshojnë në kushte dhe ja çfarë nënkupton analisti Alfred Peza lidhur me këtë: "Mund të mos hapen kutitë e votimit, por zgjidhja që ofrohet, të jetë e atillë që garanton në mënyrë të plotë dhe të padiskutueshme çdo proces elektoral që pritet të ndodhë në Shqipëri". "E gjithë kjo mund të shoqërohet më pas edhe me lëshimet tjera që mund t'i bëhen opozitës në lidhje me kërkesat e saj, qofshin këto me institucione që varen nga Parlamenti. Atëherë, krijohet një balancim dhe rritet më shumë besimi i opozitës për mazhorancën, duke rikthyer ekuilibrin e munguar deri tani". Por, analisti Ylli Rakipi e sheh shumë të vështirë tërheqjen e palëve nga pozicionet aktuale mbi hapjen, ose jo, të kutive të votimit të 28 qershorit- pika e nxehtë e debatit politik. "Ne krizën e kemi për këtë shkak, ka një element d.m.th. hapja e kutive të votimit. Dhe, nëse mazhoranca nuk e bën këtë gjë, opozita nuk tërhiqet nga rruga e vet. Por, unë kam idenë që edhe kryeministri nuk tërhiqet nga rruga e vet". "Kështu që ne jemi përpara një momenti mjaft delikat. Unë do të thosha që kryeministri do të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme - vetëm kutitë nuk do të mund t'i dorëzonte. Duket që brenda atyre kutive ka probleme", shprehet Rakipi. Nëse do të ketë një zgjidhje, ajo për Rakipin do të vijë nga faktori ndërkombëtar që do ta asistojë në Shqipëri procesin për dialog politik, ku si ndërmjetës është mandatuar kryetari i shtetit. "Krizat tona përgjithësisht nuk i kemi zgjidhur ne, i kanë zgjidhur të huajt, dhe në këtë pikëpamje do të thosha që edhe kjo krizë do të zgjidhet me vendimin që do të marrin të huajt". "Por, e gjithë kjo do të shkojë në dëm të Shqipërisë, sa i përket proceseve, në të cilat ky vend ka filluar të hyjë dhe ku kërkojmë ne të shkojmë", vlerëson Rakipi. Fillim-java parashikohet të jetë e nxehtë, me takime të veçanta të presidentit me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të përcaktuar piketat e tryezës së përbashkët, mbajtja e së cilës do të përkojë ndoshta me mbërritjen në Shqipëri të Këshillit të Evropës. /rfe/