English

Ahmeti-Gruevski drejt ndarjes?!

Shkup, 8 shkurt, NOA - Koalicioni qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, po i numëron ditët e fundit të bashkëqeverisjes. Partia shqiptare në pushtet e gjetur në një pozitë inferiore ka vendosur muajin maj si afatin e fundit për braktisjen e qeverisë, njofton një zyrtar i lartë i BDI-së, duke shtuar se do të respektohen sugjerimet e faktorëve ndërkombëtarë për ti dhënë edhe një shans zgjidhjes së kontestit të emrit. Partia shqiptare në pushtet BDI deri në muajin maj do ta braktisë qeverinë e koalicionit ose do të veprojë ndryshe, duke pasur në qendër të vëmendjes platformën e saj politike, që rrjedhë nga marrëveshja e Ohrit.

Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti për këtë ka marrë dritë jeshile edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, në rast se nuk do të zgjidhet kontesti i emrit me Greqinë.

"Deri në muajin maj kemi garanci të fuqishme nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga SHBA-të se do të zgjidhet çështja e emrit kushtetues. Menjëherë pas zgjidhjes së kontestit të emrit, do t'i japin ultimatum, kryeministrit Nikolla Gruevski për realizimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Sipas gjitha gjasave kryeministrit do të refuzojë dhe ky do të jetë momenti kur BDI përfundimisht do të largohet nga qeveria", theksoi për agjencinë e lajmeve INA një zyrtar i lartë i BDI-së, duke shtuar se pozicioni i kësaj partie shumë është dobësuar.

Skenari parashikon që pas daljes së BDI-së nga qeveria, kryeministri Nikolla Gruevski do të mundohet të ftojë ndonjë nga partitë e tjera shqiptare apo më në fund dy deri në tre muaj do të qeverisë vetëm, duke krijuar për herë të parë një moment të ri që qeveria të jetë pa asnjë subjekt shqiptar.

"Nuk mund të shkojë më tepër sepse do të thellohet kriza, por ai do të mundohet të krijojë edhe një Qeveri të zgjeruar. Por do të jetë e kotë kjo, sepse do të ballafaqohemi me zgjedhje të parakohshme", ka nënvizuar zyrtari i BDI-së, duke shtuar se zgjedhjet do të mbahen gjatë muajit shtator apo tetor të këtij viti. Situata e krijuar dhe skenarët e mundshme tashmë janë pjesë e debateve edhe brenda VMRO-DPMNE-së, e cila me fushatat e fundit po përgatitet gjithashtu drejt zgjedhjeve të parakohshme.

NOA/INA

KOMENTE